Kryetari i bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, mbeti në paraburgim nga policia me akuza për ryshfet dhe terrorizëm pasi u arrestua të mërkurën, transmeton Portalb.mk.
Imamoglu është rivali kryesor politik i Presidentit Rexhep Tajip Erdogan dhe ndalimi i tij vjen vetëm disa ditë përpara se partia ta emërojë atë si kandidatin e saj për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.
Analistët theksojnë shqetësimet serioze të investitorëve se masa ishte e motivuar politikisht. Kreu i partisë kryesore opozitare të Turqisë, anëtar i së cilës është kryetari i bashkisë, pritet t’u drejtohet sot mbështetësve jashtë bashkisë së Stambollit.
Pas arrestimit, një turmë e madhe qytetarësh u mblodh para ndërtesës së Bashkisë Metropolitane të Stambollit për të kundërshtuar prangosjen e tij.
Njëqind e gjashtë persona u arrestuan në Stamboll të mërkurën si pjesë e tri hetimeve të veçanta.
Midis të arrestuarve janë individë të profilit të lartë si kryetari i bashkisë së Stambollit Ekrem Imamoglu, artisti Ercan Saatci dhe gazetari Ismail Saymaz.