Krizë në horizont në industrinë e Maqedonisë së Veriut

Që nga fillimi i vitit janë mbyllur dhjetëra fabrika të tekstilit, ndërkohë që largimin e tyre e kanë njoftuar dy investime të huaja që punësonin rreth një mijë njerëz, si dhe ka reduktim të prodhimit dhe fitimeve në industrinë e minierave dhe atë automobilistike. Punëtorët e kanë më të vështirë përballjen me këto probleme, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

“Na thanë se kompania ishte në humbje, se ishte rritur numri i punonjësve dhe për këtë arsye janë të detyruar të pushojnë njerëz nga puna”, thotë një nënë e re me dy fëmijë, e cila është një nga rreth tridhjetë punonjësit që i humbën vendet e tyre të punës me marrëveshje në qytetin e vogël në lindje të vendit, Makedonska Kamenica.

Për të dhe për shumë të tjerë si ajo gjetja e një pune të re në qytetet në brendësi të vendit është një sfidë serioze.

Situata aktuale në industri është rezultat i një kombinimi të zhvillimeve në tregun global, krizës energjetike, paqëndrueshmërisë politike dhe ndërprerjes së zinxhirëve të furnizimit global, thotë Dimitar Nikollovski, profesor në Fakultetin e Ekonomisë në Prilep.

“Kjo reflektohet sidomos tek kompanitë me kapital të huaj, të cilat si nënkontraktorë janë natyrshëm më të integruarat në zinxhirët globalë të furnizimit. I tillë është rasti me industrinë automobilistike dhe atë të tekstilit, ku kompanitë varen nga porositë e huaja ose furnizohen nga furnizues të huaj”, thotë Nikollovski.

Sipas tij, pikërisht në këta sektorë presioni i konkurrencës, i cili kryesisht nga vjen Azia, ndihet më shumë.

“Në këtë drejtim kompanitë evropiane janë shumë më inerte dhe në të shumtën e rasteve janë të detyruara t’i ndjekin trendet e imponuara nga kompanitë aziatike”, shton ai.

Punëtorët në zonat ekonomike druhen për vendet e tyre të punës, sidomos ata që eksportojnë produkte dhe pjesë për makina me karburant, thonë nga Unioni i Sindikatave.

Dy investime të huaja largohen nga vendi

Goditja më e madhe për momentin po vjen nga zonat zhvillimore teknologjike dhe industriale (ZZhTI), ku dy kompani të mëdha amerikane nga industria automobilistike kanë njoftuar mbylljen e fabrikave të tyre, gjë që së shpejti do të lërë pa punë të paktën 1.200 punëtorë.

Kompania irlandeze-amerikane “Aptiv”, e cila prodhon pjesë për automobila, planifikon që ta mbyllë fabrikën e saj në Bunarxhik më së voni deri në fund të vitit 2026, përveç se nëse ndodh ndonjë ndryshim në kushtet në tregun e industrisë automobilistike. Këtë për Radion Evropa e Lirë e konfirmuan nga Drejtoria për Zonat Zhvillimore Teknologjike Industriale (DZZhTI).

Sipas të dhënave të ZZhTI deri në muajin tetor të këtij viti kjo kompani ka pasur 500 punonjës. Plani për shkurtimin e tyre do të zbatohet gradualisht, me ç’rast është njoftuar për një paketë kompensimi për punonjësit. Por, ky investim i huaja nuk po largohet për shkak të fitimeve të ulëta.

“Në vitin 2024 kompania realizoi rezultatin e saj më të mirë financiar deri më tani, të ardhura prej 32 milionë eurosh dhe një fitim neto prej 3,5 milionë eurosh. Sipas informacionit që ne e siguruam në kuadër të planit global të ristrukturimit ata planifikojnë një ulje graduale të aktiviteteve të prodhimit në mënyrë që të përgatiten për një marrje ose shitje të mundshme të biznesit te një kompani tjetër multinacionale, për të cilën tashmë janë duke u zhvilluar bisedime”, thuhet në përgjigjen e ZZhTI.

Edhe kompania e dytë, “Dura Automotive Systems”, e cila është e regjistruar në ZZhTI Bunarxhik 2, do t’i mbyllë dyert e saj. Për shkak të anulimit të porosive nga blerësi kryesor – AUDI ajo tashmë për disa muaj nuk ka prodhuar shtëpiza për bateritë për makinat elektrike.

Vitin e kaluar kjo kompani ka pasur rreth 60 punonjës, numrin e të cilëve këtë vit e uli gradualisht. Por, sipas njoftimit për investim të ish-kryeministrit Zoran Zaev në vitin 2019, kjo kompani duhej të ndërtonte tre fabrika dhe të punësonte një mijë persona.

“Dura Automotive së bashku me Dura Stretchers gjatë vitit 2022 e arritën numrin maksimal prej mbi 730 punonjësish. Dura Stretchers në vitin 2023 u ble nga kompania kanadeze Linamar”, thuhet në përgjigjen nga ZZhTI.

Nga Drejtoria theksuan se revizorët kanë kryer një kontroll të ndihmës shtetërore të paguar investitorëve të huaj që njoftuan tërheqjen e tyre dhe kanë konstatuar shkelje të marrëveshjeve. Ata konfirmuan se janë marrë masa për kthimin e ndihmës shtetërore në buxhet, por nuk dhanë detaje se sa para do të duhej të kthehen në buxhet.

Mickoski: Nuk është fundi i botës

Pas njoftimeve se kompanitë e huaja Aptiv dhe Dura po largohen nga tregu në Maqedoni kryeministri Hristijan Mickoski tha se nuk ka vend për shqetësim.

“Do të ketë kompani, si vendase ashtu edhe të huaja, që do të hapen dhe do të ketë nga ato që do të mbyllen. Kjo nuk duhet parë si fundi i botës”, tha Mickoski gjatë një vizite në kompaninë “Kostal” në Ohër.

Ndërkohë Qeveria ka njoftuar një valë të re investimesh të huaja pa dhënë detaje, përveç se pret që kontrata për hapjen e fabrikave deri në fund të vitit të nënshkruajnë katër deri në pesë kompani të reja.

“Do thoja se jemi ndër më konkurruesit në Evropë dhe e tregojmë këtë si me shifra ashtu edhe me veprime”, shtoi kryeministri.

Industria e tekstilit në rënie të lirë

Kriza nuk e ka anashkaluar as industrinë e tekstilit ku vetëm në tetë muaj në lindje të vendit rreth dhjetë fabrika për konfekcion i kanë mbyllur dyert e tyre për shkak të porosive të reduktuara nga partnerët e huaj.

“Vetëm në muajt e fundit në Koçan janë mbyllur disa fabrika, disa i kanë blerë pronarë të rinj sepse ato të vjetrat nuk mund të mbijetonin. Nëse dhjetë vjet më parë kishte ndoshta edhe mbi 50 fabrika për konfekcion i kanë mbyllur dyert e tyre për shkak të porosive të reduktuara nga partnerët e huaj, në çdo hap, tani mund të jenë rreth dhjetë të tilla”, tregon Sanja 52-vjeçare nga Koçani, e cila punon në industrinë e tekstilit për më shumë se 30 vjet.

Kjo degë për vite me radhë po shënon një trend negativ, dhe sipas të dhënave jozyrtare që i përcolli kryetari i Kuvendit të Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë, Angell Dimitrov, i cili edhe vetë është pjesë e këtij biznesi, nga fillimi i këtij viti vetëm në rajonin lindor janë mbyllur rreth dhjetë fabrika të tekstilit.

“Kriza energjetike, së cilës iu bashkua lufta në Ukrainë, së bashku me frikën e qytetarëve në
Perëndim nga një luftë e re atje, po kontribuojnë për një rënie të blerjeve dhe kërkesës për industrinë e tekstilit”, tha Dimitrov për Radion Evropa e Lirë.

Sektori i tekstilit, i cili punëson rreth 25.000 njerëz, ka shënuar një rënie të vazhdueshme të punëtorëve dhe eksporteve që nga viti 2010, trend ky që u intensifikua pas pandemisë, luftës në Ukrainë dhe problemeve ekonomike në Gjermani – që është tregu kyç.

Dimitrov është i mendimit se viteve të fundit kriza është intensifikuar për shkak të rënies të kërkesës nga Evropa Perëndimore, sidomos nga Gjermania.

Sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave, të cilat citohen edhe nga Shoqata e Industrisë së Tekstilit dhe Lëkurës pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë Gjermania është tregu më i madh për eksportet nga kjo industri nga Maqedonia- deri në 65,2% të sasisë së përgjithshme të eksportit të realizuar nga kjo veprimtari në vitin 2024.

Sektori i tekstilit në Maqedoninë e Veriut përbën mbi 10% të prodhimit të përgjithshëm industrial, theksojnë nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës, duke shtuar se shumica e kompanive po punojnë në prodhim me partnerë të huaj, kryesisht nga vendet e Evropës Perëndimore. Por, edhe ata janë të vetëdijshëm se vitet e fundit industria ka “shënuar një trend negativ”.

“Analizat tregojnë se kjo është rezultat i një kombinimi faktorësh – ndryshime në zinxhirët globalë të furnizimit, rritja e shpenzimeve për energji dhe lëndët e para, si dhe mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar”, thanë pak kohë më parë nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës për REL.

Për gjendjen e dobët ekonomike të industrisë së tekstilit dhe lëkurës dëshmojnë edhe të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës. Sipas tyre, dhjetë vjet më parë ky sektor kishte 46.558 punëtorë, ndërsa në vitin 2024 numri i përgjithshëm ishte 32.102, që do të thotë se pas dhjetë vjetësh ka 14.456 punëtorë tekstili më pak. Të dhënat statistikore tregojnë se në periudhën nga viti 2015 deri në vitin 2024 pjesëmarrja e industrisë tekstile në sasinë e përgjithshme të eksportit të vendit pothuajse është përgjysmuar (nga 14.6% në 6.15%).

Njoftime për shkurtime të vendeve të punës në sektorin e minierave

Njoftimet e reja për shkurtime të mundshme të vendeve të punës në industrinë e minierave vetëm sa e rrisin numrin e mbi një mijë punëtorëve që do të kërkojnë punë të re këtë vit.

Në minierën e plumbit dhe zinkut “Sasa” në Makedonska Kamenicë 33 punonjësve iu ofruan paketa për largim nga puna me marrëveshje me kompensim. Disa nga punonjësit me të cilët folëm druanin nga një reduktim i mëtejshëm i numrit të punonjësve, ose se disave prej tyre mund të mos u zgjaten kontratat e punës.

Si përgjigje për Radion Evropa e Lirë, pas publikimit të tekstit „Plani i minierave për të ardhmen, me më pak punonjës“ nga Miniera “Sasa” u përgjigjën se askush nuk ishte pushuar nga puna nga Sasa.

“Një numri të caktuar punonjësish iu dha mundësia të nënshkruanin një ndërprerje të marrëdhënies të punsë me marrëveshje, e cila u shoqërua me një paketë bujare financiare”, thanë nga Miniera “Sasa”.

Kjo minierë është në pronësi të Central Asia Metals, një kompani ndërkombëtare e cila e bleu minierën në vitin 2017.

Arsyet kryesore për reduktimin e numrit të punonjësve, Miniera “Sasa” e thekson rritjen e shpenzimeve, kushtet komplekse gjeologjike dhe nivelet e ulëta të prodhimit, të cilat rezultuan me humbje financiare.

Sipas analizave të tyre, në periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2025 numri i punonjësve në “Sasa” u rrit për 11%, ndërsa prodhimi i xehes u ul për 7%, ndërsa prodhimi i koncentratit të metaleve për 14%.

“Plani ‘Të gatshëm për të ardhmen’ është një iniciativë e vështirë, por e domosdoshme me të cilën duam ta kthejmë minierën “Sasa” në një gjendje fitimprurëse në afat të shkurtër dhe ta sigurojmë stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e saj në afat të gjatë, duke e mbrojtur kështu të ardhmen e fuqisë tonë punëtore. Krahas përmirësimeve operative, plani përfshin një rishikim të të gjitha shpenzimeve në kompani, përfshirë kët edhe numrin e punonjësve”, thanë nga kompania.

“Në periudhën 2017–2024 “Sasa” ka paguar 95,5 milionë dollarë në tetime dhe tarifa në buxhetet shtetërore dhe lokale dhe ka investuar mbi 2,4 milionë dollarë në komunitetin lokal përmes zbatimit të projekteve në disa fusha”, thuhet në deklaratën e tyre të fundit.

Miniera “Sasa” prodhon plumb dhe zink në formën e koncentratit metalik, i cili eksportohet në Bashkimin Evropian. Sipas analizës së fundit nga portali ekonomik Pari.mk, e cila i referohet të dhënave nga Rrjeti i Biznesit, në vitin 2023 ata kanë raportuar të ardhura prej mbi 95,2 milionë eurosh, nga të cilat 17,4 milionë euro janë fitime.

Vitin e kaluar të ardhurat kanë rënë në 94,8 milionë euro, ndërsa fitimet kanë shënuar një rënie prej 3.6 milionë euro, pra kanë qenë 13,8 milionë euro, tregojnë kështu llogaritë përfundimtare nga Regjistri Qendror.

Pasiguria e situatës në Sasa në qytetin e vogël me 4 mijë banorë që varet nga minierat ka ngjallur frikë nga një rritje e numrit të të papunëve, por edhe trauma nga e kaluara.

“Kur në vitet 2000 kjo minierë u mbyll për disa vite, Kamenica ishte një qytet fantazmë”, thotë një nga punonjësit në minierën “Sasa”, i cili pas një ndërprerje të marrëdhënies të punës me marrëveshje pranoi një ofertë pune në një kompani mirëmbajtjeje që do ta zëvendësojë punën e tyre në minierë.

Puna e minatorëve po zvogëlohet

Kryetari i SIEM, Igor Gjerasov, thotë se reduktimi i prodhimit dhe numrit të punonjësve nuk është rast vetëm në Minierën “Sasa”.

“Për shembull, në Kombinatin e Mermerit në Prilep, atje kemi anëtarë, bëhet fjalë për një minierë mermeri, prodhimi i tyre ka rënë për 15%, por në atë kompani nuk ka pasur njoftime se do të ketë shkurtime nga puna”, shton ai.

Problemet në industritë më të mëdha në vend, siç janë metalurgjia dhe minierat, shihen edhe në të dhënat statistikore. Të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikave për pesë vitet e fundit tregojnë një zvogëlim të prodhimit të minierave. Kjo do të thotë se minierat në vend po nxjerrin më pak minerale ose xehe se sa më parë.

Analiza e disa njoftimeve të fundit nga Enti Shtetëror i Statistikave nga sektori “Miniera dhe Gurore” në muajin tetor të vitit 2024, krahasuar me muajin tetor të vitit 2023, shënon një rënie prej 8,2%. Rënia më e madhe është regjistrua vitin e kaluar në muajin dhjetor dhe atë për 10% krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2023.

Gjendja nuk është më e mirë as këtë vit. Raporti statistikor nga muaji janar i këtij viti tregon një rënie prej 5,1 përqind në nxjerrjen e gurëve krahasuar me atë në muajin janar të vitit të kaluar.

Me rënien e prodhimit vihet re edhe një rënie të numrit të punëtorëve

Numri i punëtorëve në sektorin e Minierave dhe Guroreve në muajin mars të vitit 2025, krahasuar me muajin mars të vitit 2024, është zvogëluar për 2,1%, ndërsa në muajin qershor të këtij viti, krahasuar me muajin qershor të vitit 2024, është zvogëluar për 2,5%. Tre muaj më vonë situata përsëritet, kështu që në muajin shtator të këtij viti, krahasuar me muajin shtator të vitit të kaluar, numri i punëtorëve në sektorin e Minierave dhe Guroreve është zvogëluar për 2,0%.

Të dhënat e fundit statistikore nga viti 2024 tregojnë se si minatorë në vendin tonë punojnë 3.800 persona. Situata në metalurgji është veçanërisht e vështirë.

Ish-“Feni”, tani si i njohur “Industria Euronikel”, pas dy procedurave të falimentimit, ende nuk është përfshirë në prodhim.

Disa nga punonjësit që folën për REL thanë se në punë kanë mbetur rreth njëqind persona që janë përgjegjës për mimërmbajtjen e furrave. Për më shumë se 15 muaj fabrika nuk ka shkrirë xehe nikeli, i cili është tejet i rëndësishëm në mbarë botë në këtë kohë të elektrifikimit dhe baterive.

Një nga 130 punonjësit, detyra e të cilit është të mbajë një temperaturë minimale në furra, thotë se me muaj po presin për një revizion nga pronarët e rinj. 610 punonjësit e mbetur në këtë kompani u pushuan si tepricë teknologjike nga puna në këtë kohë vitin e kaluar.

Deri në publikimin e këtij teksti nga kompania nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë.

Vitin që shkoi dy ish-drejtorë të kësaj fabrike u akuzuan për vepra penale, me dyshimin se e kishin vënë qëllimisht fabrikën në një pozitë tejet të pafavorshme përmes kontratave me një kompani zvicerane për blerjen e materialeve.

Cilat janë arsyet për gjendjen e dobët të industrisë?

Sipas analistëve, arsyet për gjendjen aktuale të industrisë në Maqedoni janë shumështresore, pjesërisht për shkak të rënies së çmimeve të aksioneve të metaleve, sidomos të nikelit dhe ferronikelit, të cilat janë bërë të paqëndrueshme për shkak të përmbytjes së tregut nga Indonezia (e cila ofron subvencione shtetërore) dhe konsumit të reduktuar nga Kina. Kjo e ngre pyetjen për një krize të re të mundshme ekonomike në vend.

Krahas kësaj kriza ndikohet edhe nga shpenzimet e larta energjetike. Në prodhimin e nikelit energjia përbën 40-50% të shpenzimeve. Sipas profesor Nikollovskit, ekonomia në Maqedoni si një ekonomi e vogël dhe e hapur, ka pak hapësirë ​​për manovrim. Ai shpjegon se në të ardhmen për të shmangur valë të tilla negative, domethënë për t’i parandaluar ato, është e nevojshme të investohet në sektorë vendorë kyç, siç janë prodhimi i ushqimit, IT, industria elektrike dhe makinerike, materialet e qëndrueshme të ndërtimit, etj.

Plani i tillë është i mundur me përmirësimin e aftësive të fuqisë punëtore përmes reformave të vazhdueshme në arsimin e mesëm profesional dhe të lartë, masave aktive për rikualifikimin e të papunëve dhe përforcimin e rolit të arsimit joformal, thotë Nikollovski. Ai shton se në këtë mënyrë ekonomia në Maqedoni do të bëhej më konkurruese dhe më elastike ndaj paqëndrueshmërive globale.

Ekonomia e shtetit - Lajme ekonomiKriza ekonomikePapunësiZonë e lirë industriale RMV