Në kohë pasigurie, ndarjesh të thella dhe një tjetërsimi gjithnjë e më të theksuar, dita e sotme na kujton se pa kulturë, arsim dhe shkencë, por edhe pa sistem vlerash, asnjë shoqëri nuk mund të ndërtojë besim të ndërsjellë dhe bashkësi. Kjo është një pjesë e mesazhit që presidentja Gordana Siljanovska-Davkova dërgoi me rastin e Ditës së vëllezërve Shën Kirili dhe Metodi, transmeton Portalb.mk.
“Vepra e tyre nuk qëndron vetëm në krijimin e alfabetit, por në hapjen e mundësisë që njeriu sllav të artikulojë mendimin, besimin dhe vetëdijen e tij kulturore në gjuhën që e kupton dhe e ndien si të afërt dhe të vetën, duke luftuar dhe duke e mbrojtur atë. Gjuha nuk është vetëm një grup fjalësh, por edhe kujtesë kolektive, kod vlerash dhe ndjenjë përkatësie që një popull i përcjell ndër kohë, nga brezi në brez”, thotë Siljanovska-Davkova.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në urimin për Ditën iluministëve pansllavë, tha se trashëgimia e tyre mbetet frymëzim i përhershëm për ruajtjen e vlerave universale të dijes, dialogut dhe respektit mes popujve.
“Me rastin e 24 majit – Ditës së Shën Kirilit dhe Metodit, shpreh respekt dhe mirënjohje ndaj dy iluministëve, të cilët me misionin e tyre vendosën themelet e shkrim-leximit, arsimit dhe zhvillimit shpirtëror e kulturor të popujve sllavë. Në këtë ditë të rëndësishme, konfirmojmë përkushtimin tonë ndaj arsimit, kulturës dhe bashkëpunimit, si vlera që ndërtojnë shoqëri demokratike dhe përparimtare. Këtë vit, Ditën e Shën Kirilit dhe Metodit e shënojmë në Vatikan, ku po udhëheq delegacionin shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut në ngjarjen tradicionale për nder të Shën Kirilit”, shtohet në urimin e Gashit.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se, vëllezërit Kirili dhe Metodi dërguan një mesazh që edhe sot mbetet bashkëkohor dhe i fuqishëm – çdo popull ka të drejtë për arsim, kulturë, shprehje shpirtërore dhe gjuhën e vet. Një popull që nuk e njeh shkrim-leximin dhe kulturën e tij, lehtësisht bëhet i huaj në historinë e vet, deklaroi Mickoski nga akademia solemne që po mbahet në Ohër me rastin e Ditës së iluministëve pansllavë.
“Në një kohë kur dija ishte privilegj i pak njerëzve, ata dërguan një mesazh që edhe sot është bashkëkohor dhe i fuqishëm – se çdo popull ka të drejtë për arsim, kulturë dhe gjuhën e vet. Pikërisht për këtë arsye, vepra e tyre është më e madhe se një ngjarje historike. Ajo është fitore e dritës mbi errësirën, fitore e dijes mbi nënshtrimin. Një popull që nuk e njeh shkrim-leximin dhe kulturën e vet, lehtësisht bëhet i huaj në historinë e vet. Kjo nuk është vetëm një mësim historik, por edhe një paralajmërim bashkëkohor”, porositi Mickoski.
Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, tha se misioni i vëllezërve Kirili dhe Metodi ka rol të paçmueshëm në promovimin e aspiratës për barazi të popujve dhe barazi të gjuhëve, por edhe në krijimin e shkrim-leximit maqedonas.
“Sot, kur përhapen kërcënime të sajuara dhe të rreme ndaj gjuhës dhe identitetit maqedonas, është e rëndësishme të kujtojmë se askush nuk mund të rrezikojë atë që është konfirmuar ndërkombëtarisht. Falë vendimeve shtetformuese të LSDM-së, gjuha maqedonase është e njohur dhe e barabartë në Bashkimin Evropian. Identiteti maqedonas është konfirmuar. Këto janë fakte që nuk mund t’i fshijë asnjë manipulim i politikës ditore”, thekson Filipçe.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në urim thuhet se si misionarë dhe mësues, Kirili dhe Metodi lanë gjurmë të përhershme në zhvillimin shpirtëror, kulturor dhe arsimor të popujve sllavë. Vepra e tyre, thuhet më tej, “edhe sot na nxit ta ruajmë identitetin gjuhësor dhe kulturor, por edhe të investojmë”.