Kovaçevski pa përgjigje se cili është plani i Qeverisë nëse nuk sigurohet shumicë për ndryshimet kushtetuese

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut nesër pritet të ja fillojë seancës plenare për ndryshimet kushtetuese, të cilat janë kusht për vazhdimin e rrugës eurointegruese të Maqedonisë së Veriut. Votimi i këtyre ndryshimeve kërkon dy të tretën e deputetëve. Por, cili është plani i Qeverisë nëse nuk sigurohet kjo shumicë? I pari i Qeverisë pa përgjigje, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri i vendit – Dimitar Kovaçevski i pyetur se cili është plani i Qeverisë nëse nuk sigurohet shumica e kërkuar për ndryshimet kushtetuese, marrë parasysh qëndrimin e fundit të djeshëm nga deputetët e opozitares VMRO-DPMNE se nuk do të mbështesin këtë proces, nuk u përgjigj për këtë, por kritikoi deputetët e VMRO-DPMNE-së.

Kovaçevski në vend të përgjigjes i ka kritikuar deputetët e VMRO-DPMNE-së se nuk kanë shpjegim pse nuk do të përkrahin amendamentet kushtetuese.

“Cili është shpjegimi i VMRO-DPMNE-së pse është kundër, nuk thuhet në njoftim. Amendamentet kushtetuese nuk janë një diktat bullgar, është një kornizë negociuese e miratuar nga BE-ja”, tha Kovaçevski.

Kryeministri sot ka deklaruar gjithashtu se në Kuvendin e RMV-së ka një dePutet i cili ishte pjesë e shërbimit sekret jugosllav dhe policisë UDBA-s, që nuk duan ta shohin RMV-në si pjesë të Bashkimit Evropian.

Nga ana tjetër, sot blloku opozitar shqiptar në Kuvend – Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike, përmes një konference për shtyp kushtëzuan se nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për shqiptarët në kushtetutë, nuk do të përkrahin ndryshimet kushtetuese.

Ndërsa ministri i Jashtëm – Bujar Osmani sot u ka dërguar letër deputetëve të Kuvendit ku u thotë se e ardhmja evropiane e vendit është para duarve të tyre.

Nesër në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut pritet të fillojë seanca plenare për ndryshimet kushtetuese, të cilat pritet t’i hapin rrugën eurointegruese vendit.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi më 19 korrik të këtij viti e pranoi propozimin e Qeverisë për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës, ndërsa Komisioni për Çështje Kushtetuese në Kuvend më 25 korrik e miratoi propozimin. Me këtë, praktikisht filloi procedura për ndryshime kushtetuese sipas obligimit që e ka marrë Maqedonia e Veriut në korrik të vitit të kaluar gjatë fillimit të bisedimeve hyrëse me Bashkimin Evropian, dhe këto konkluzione ia kaloi Kuvendit.

Ndryshimet në Kushtetutë nënkuptojnë shtimin e kombeve në Preambulë dhe në nenet 49 dhe 78 kur numërohen pjesët e kombeve në shtet, ku përveç maqedonasve, shqiptarëve, turqve, vllahëve, serbëve, romëve dhe të tjerë, do të shtohen bullgarët, kroatët, malazezët, sllovenët, hebrenjtë dhe egjiptianët.

Kuvendi fillimisht duhet të votojë rendin e ditës me një pikë të vetme – Propozim për Fillimin e Ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për të cilin nevojiten 61 vota.

Kjo seancë mund të zgjasë më shumë se dhjetë ditë pune.

Më pas, vendimin ndryshimin e Kushtetutës e merr Kuvendi me shumicë prej dy të tretave të numrit të përgjithshëm të deputetëve, pra me 80 vota. Nëse nuk ka shumicën e kërkuar, procedura nuk mund të vazhdojë.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen, mes tjerash edhe të bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

 

Dimitar KovaçevskiKushtetuta e RMVNdryshime Kushtetuese RMVParlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së VeriutVMRO-DPMNE