Kosovë, një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për spiunazh

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar të enjten masën e paraburgimit prej një muaji dy burrave, të cilët u arrestuan një ditë më parë nën dyshimin për spiunazh, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Në një njoftim për media të enjten vonë, gjykata tha se gjyqtari e pranoi si të bazuar kërkesën e prokurorit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve B.SH dhe M.Q, të dyshuar për spiunazh.

“Gjykata vlerësoi se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, pasi nëse të pandehurit lihen në liri, të njëjtit mund të jenë të paarritshëm për procedurën penale, dhe ka rrezik të ikjes. Po ashtu, gjykata vlerësoi se, nëse të pandehurit do të jenë në liri, mund të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë ose falsifikojnë provat e veprave penale, ose do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale”, thuhet në njoftim.

Prokuroria e Kosovës bëri të ditur më 5 qershor se dy shtetasit kosovarë u arrestuan pas një hetimi disamujor dhe se i ngarkon ata me veprën penale “spiunazh”.

Ndërkohë, Policia e Kosovës konfiskuar armë, municione dhe maska ushtarake gazi në dy lokacionet e ku u arrestuan këta dy të dyshuar në Ferizaj.

Gjykata Themelore tha të enjten se ndaj të pandehurit M.Q. e caktoi masën prej një muaji paraburgim edhe për shkak të një vepre të dytë penale me të cilën ngarkohet ai, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Ajo tha se palët kanë të drejtë të ankohen kundër aktvendimit të gjykatës.

Autoritetet kosovare nuk kanë dhënë hollësi për këtë rast.

Por, mediat lokale raportuan se personat e ndaluar dyshohet se kanë spiunuar për Agjencinë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA).

Në një reagim të mërkurën, BIA-ja tha se e mohon “çdo lidhje me personat e arrestuar në Kosovë”.

BIA-ja shtoi se bëhet fjalë për “përpjekjet e Prishtinës për përhapjen e lajmeve të rreme, se janë dy persona me iniciale B.SH dhe M.Q., të cilët janë arrestuar të mërkurën në Ferizaj me akuzën se kanë kryer vepër penale të spiunazhit në marrëdhënie bashkëpunimi me Agjencinë”.

KosovaPërgjim - Spiunim Spiun(e)Serbia