Kosova zgjeroi listën e organizatave të huaja terroriste

Përmes një dekreti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka harmonizuar listën e vendit për organizatat e huaja terroriste me atë të Shteteve të Bashkuara, raporton Euronews.

Në mesin e organizatave që i janë shtuar listës janë kartele, por edhe Ansar Allah nga Jemeni, apo rebelët Huthi.

Pesidentja Osmani tha se Kosova qëndron pranë SHBA-së në luftën kundër krimit të organizuar transnacional dhe terrorizmit, karteleve të drogës e regjimeve kriminale “sepse udhëheqja amerikane e bën botën më të sigurt”.

“Historia tregon një të vërtetë të thjeshtë: kur Amerika udhëheq, ka më shumë paqe, më shumë siguri dhe më shumë liri globalisht. Kosova gjithmonë do të qëndrojë pranë SHBA-së për të avancuar këtë vizion dhe në përpjekje për të luftuar të gjithë ata që rrezikojnë sigurinë kombëtare të aleates sonë më të rëndësishme”, shkroi Osmani.

Në dekret përmenden dy urdhrat ekzekutiv të Trumpit të lëshuara në janar të këtij viti. Përmes këtyre urdhrave Trump vendosi në listën e organizatave të huaja terroriste një sërë kartelesh, por edhe grupe të tjera.

JemeniKosovaShtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)Sulm terrorist - TerrorizëmVjosa Osmani