Me rezultat 1 – 0 Kosova ka mundur Izraelin në fushën e gjelbër që u zhvillua sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë në kuadër të UEFA-s për kualifikime EURO 2024, njofton Portalb.mk.
Këtë fitore Kosovës ia siguroi Milot Rashica i cili shënoi gol në minutën 41.
Në fillim të ndeshjes kur u këndua himni i Izraelit publiku i pranishëm fishkëllente.
Në stadium pati shumë pak publikë.
Dy persona u arrestuan pasi vepruan në kundërshtim me rregullat e parapara për hyrjen në stadium.
Sot më herët gjatë ditës në Prishtinë në solidarizim me popullin palestinez u shpalos flamuri i Palestinës te hotel “Grandi” krahas mbishkrimit të madh në mbështetje të Ukrainës, mirëpo njëjti u largua.
Policia e Kosovës paraprakisht mori masa sigurie për ndeshjen kualifikuese midis dy shteteve.
Ndeshja Kosovë – Izrael ishte e paraparë të luhej muajin e shkuar, por është shtyrë për shkak të luftës atje.
Kombëtarja e Kosovës për momentin gjendet në vendin e katërt të grupit I me 10 pikë ndërsa ajo e Izraelit në vendin e tretë me 11 pikë, në vend të dytë është Zvicra me 15 pikë ndërsa në vendin e parë qëndron Rumania me 16 pikë. Prapa Kosovës radhiten Bjellorusia me 6 pikë dhe Andora me 2 pikë.
Kosova me 18 nëntor do të luajë me Zvicrën në Bazel ndërsa më 21 nëntor do ta pres Bjellorusinë.