Kontrolle të ashpra gjatë provimit të Maturës Shtetërore në Maqedoninë e Veriut

Testi i provimeve të Maturës Shtetërore për nxënësit e shkollave të mesme në Maqedoninë e Veriut, këtë vit do të mbahet në sallat sportive apo korridoret e shkollave dhe jo si deri më tani në klasa ku kishte nga 15 nxënës, raporton Radio Evropa e Lirë. Ky vendim nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës është marrë për të shmangur të gjitha parregullsitë gjatë mbajtjes së provimeve që janë pjesë e Maturës Shtetërore.

Testimi më rigoroz, thonë nga Ministria, do të kontribuojë dhe për seleksionimin më të drejtë të nxënësve në fakultete, për të cilat ka më shumë interesim.

Testimi i maturantëve me rregulla të reja pason skandalin e vitit të kaluar kur pyetjet e maturës me përgjigje u shpërndanë në një grup në rrjetin social Viber, ku ishin mbi 7 mijë maturantë menjëherë pasi filloi procesi i testimit. Me këtë rast u konstatua se më shumë se gjysma e nxënësve kishin kopjuar gjatë dhënies së provimit të gjuhës angleze.

Rreth 600 maturantë të shkollës së mesme të mjekësisë “Pançe Karagjozov” i janë nënshtruar në fund të muajit prill provimit të maturës shtetërore, si një provë se si do të funksionojë provimi shtetëror gjatë këtij viti. Matura shtetërore këtë vit do të mbahet më 1 dhe 8 qershor.

Në maturën shtetërore marrin pjesë nxënësit e vitit të katër në arsimin e mesme. Ata i nënshtrohen testimit për një lëndë të obligueshme, zgjedhore, si dhe detyrën projektuese.

Matura shtetërore RMVMaturantëMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Qendra Shtetërore e Provimeve RMVShkolla të mesme