Prokuroria malazeze ka hapur një çështje penale pasi presidenti Milatoviç deklaroi publikisht se ishte kërcënuar me mesazhe kërcënuese telefonike nga zëvendëskryeministri Nik Gjeloshaj, raporton Klan.
Organi i akuzës do të marrë deklarime në ditët në vijim nga kreu i shtetit dhe zëvendëskryeministri, pas të cilave do të marrë një vendim për çështjen.
Përplasja mes krerëve të shtetit malazez erdhi menjëherë pasi u njoftua se presidenti ktheu për rishqyrtim në parlament ligjin për tatimin mbi pasurinë e paluajtshme.
Milatoviç i bëri thirrje kryeministrit Milojko Spajiç që ta shkarkojë menjëherë Gjeloshajn, por ende nuk ka një vendimmarrje për këtë kërkesë.
Milatoviç e ktheu ligjin për tatimin mbi pasurinë e paluajtshme për shkak të, siç pretendon ai, shkeljeve të Kushtetutës, pasigurisë ligjore dhe mundësisë që 22,000 fermerë të humbasin lehtësirat tatimore.
Pas pretendimeve të Gjeloshajt, presidenti i Shtetit publikoi në rrjetin X korrespondencën me mesazhe me zëvendëskryeministrin.
Në këto mesazhe, Gjeloshajt i shkruante presidentit se nuk duhej të ishte futur në këtë punë dhe do të priste reagim nga shqiptarët në të gjitha nivelet dhe kudo që ai ka ndikim, si dhe do të merrte përgjigjen që meriton…
Zëvendëskryeministri Gjeloshaj u kundërpërgjigj duke thënë se publikimi i komunikimeve private me “screenshots” vetëm sa konfirmon nivelin e kulturës politike dhe përgjegjësisë së presidentit aktual të Malit të Zi.
Lidhur me kërkesën për shkarkimin e tij, Gjeloshaj thotë se pozicioni nuk iu dha atij, por ai e fitoi atë nëpërmjet besimit të qytetarëve në zgjedhje, të cilat i fitoi disa herë radhazi.
Forumi Shqiptar thekson se Gjeloshaj do të vazhdojë të mbrojë interesat e qytetarëve të Tuzit dhe të gjithë komunitetit shqiptar, dhe të kontribuojë në zhvillimin e Malit të Zi.