Si një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të cilësisë së ajrit dhe promovimit të zhvillimit të qëndrueshëm urban, Komuna e Tetovës, në partneritet me projektin “BE për Ajër të Pastër,” ka nisur një iniciativë për mbjelljen e 946 drunjve të zgjedhur me kujdes në zonat urbane të Tetovës. Kjo veprimtari e gjelbërimit synon të zgjerojë hapësirat e gjelbra, të përmirësojë cilësinë e ajrit dhe të zvogëlojë gjurmën e karbonit të qytetit. Iniciativa për mbjelljen e drunjve gjithashtu do të ndihmojë në zbutjen e efekteve të ndotjes industriale dhe urbanizimit, duke kontribuar në përpjekjet globale kundër ndryshimeve klimatike, transmeton Portalb.mk.
“Si pjesë e projektit të Bashkimit Evropian për Ajër të Pastër, kjo iniciativë është më shumë se një program. Ajo është një premtim për ne dhe për gjeneratat e ardhshme. Projekti përfshin një gamë të gjerë aktivitetesh që do të transformojnë mjedisin tonë dhe mënyrën se si sillemi ndaj tij. Ndryshimi i sistemeve të ngrohjes do të ndihmojë në uljen e emetimeve të dëmshme, duke na sjellë ajër më të pastër dhe më të freskët. Mbjellja e 946 drunjve, duke filluar sot me 146 drunj të llojit Betula pendula (Mështekna e Argjendtë), do të sjellë një ndryshim të dukshëm në peizazhin tonë urban. Çdo dru që mbjellim është një investim në shëndetin tonë dhe një hap drejt krijimit të një ekosistemi më të pasur dhe më të gjallë,” tha Bilall Kasami, kryetari i Komunës së Tetovës.
Me një financim prej 10 milionë eurosh nga BE-ja, projekti trevjeçar “BE për Ajër të Pastër” ka për qëllim të ulë emetimet e ndotësve dhe grimcave në Tetovë, Shkup, Manastir dhe Kumanovë – qytetet më të prekura nga ndotja e ajrit në vend. Përveç mbjelljes së rreth 1.000 drunjve, projekti në Tetovë do të forcojë kapacitetet e monitorimit të cilësisë së ajrit dhe do të mbështesë kalimin e sistemeve të ngrohjes në objektet publike ndotëse drejt burimeve më të pastra të energjisë.
Përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së, Steffen Hudolin, shefi i sektorit për bashkëpunim në Delegacionin e BE-së në Maqedoninë e Veriut, theksoi rëndësinë e iniciativës: “Iniciativa e sotme për mbjelljen e drunjve në Tetovë është një hap thelbësor drejt përmirësimit të cilësisë së ajrit dhe krijimit të kushteve më të shëndetshme për komunitetin. Kjo veprimtari përputhet me qëllimin e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane për ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të gjelbër. Me mbështetjen e veprimeve lokale si kjo, BE-ja rikonfirmon angazhimin e saj për të ulur ndotjen e ajrit, për të përmirësuar shëndetin publik dhe për të promovuar një mjedis më të pastër. Së bashku, mund të krijojmë ndryshime të qëndrueshme që përfitojnë si njerëzit ashtu edhe planetin.”
Projekti po zbatohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS) në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe komunat e zgjedhura. Para mbjelljes së drunjve, Qyteti i Tetovës dhe UNOPS nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi, duke formalizuar bashkëpunimin e tyre në kuadër të projektit “BE për Ajër të Pastër”.
“Sot shënojmë fillimin e partneritetit mes UNOPS, BE-së dhe Komunës së Tetovës, me të cilin do të mbillen pothuajse 1.000 drunj këtë vjeshtë, do të instalohen burime më ekologjike të energjisë për sistemet e ngrohjes në Qendrën Klinike të Tetovës, gjë që do të kontribuojë në një ulje prej 98% të emetimeve të dëmshme të PM10 dhe PM2.5, dhe do të përmirësohet stacioni i monitorimit të cilësisë së ajrit në Tetovë me pajisje të reja për matjen e ndotësve që deri tani nuk janë monitoruar në vend,” tha Michela Telatin, përfaqësuese e UNOPS-it në Maqedoninë e Veriut.
Në muajt në vijim, bashkëpunimi përmes projektit “BE për Ajër të Pastër” do të intensifikohet, me përgatitjet për përmirësimin e sistemeve të ngrohjes në ndërtesat publike që kontribuojnë në ndotjen e ajrit. Këto sisteme do të kalojnë nga nafta në gaz natyror të kompresuar, duke reduktuar më tej emetimet e dëmshme në Tetovë.
Kujtojmë se kryetari i Komunës së Tetovës, në vitin 2022 njoftoi se Komuna e Tetovës përmes projektit “EU for clean air” (BE-ja për ajër të pastër) bashkë me Shkupin, Kumanovën dhe Manastirin janë përfituese të grantit prej dhjetë milion euro, ku ky projekt ka për qëllim përmirësimin e ajrit përmes disa masave si përmirësimi i sistemit të ngrohjes në Institucionet publike në Komunën e Tetovës, mbjellja e pemëve në qytet si dhe vendosja e matësve mobil të ndotjes për të ofruar ajër më të pastër për një mjedis më të shëndetshëm.