Komuna e Tetovës sot përmes një kumtese informoi se ka përfunduar shpallja publike për indërtimin e stadiumit të qytetit, e cila ishte e hapur nga 22 nëntori i vitit 2023, njofton Portalb.mk.
Informojnë se javën e ardhshme komisioni do t’i shqyrtojë ofertat e mbërritura dhe evaluimi i ofertës fituese.
“Javën e ardhshme komisioni do të shqyrtojë ofertat e arritura dhe pastaj do të bëhet evaulimi i ofertës fituese. Shumë shpejt do të nënshkruhet edhe kontrata dhe do të fillohet me punë”, theksojnë nga Komuna e Tetovës.
Rikujtojmë që edhe kryetarja paraprake, Teuta Arifi për rikonstruimin e stadiumit bëri një maratonë premtimesh, në vitin 2013, më pas në vitin 2017 si dhe përsëri në vitin 2021, por kjo nuk u realizua në terren.
Përndryshe, stadiumi i Tetovës është në gjendje të shkatërruar dhe nuk plotëson standardet e UEFA-s, skuadra tetovare “Shkëndija” ndeshjet evropiane i luan në Shkup.