Komuna e Likovës ende nuk mund të sigurojë ujë të pastër të ujësjellësit për banorët e saj

Autoritetet komunale ende nuk kanë arritur t’i zgjidhin problemet teknike me ujësjellësin në Komunën e Likovës. Situata mbetet e njëjtë si para tre muajve kur për Portalb.mk thanë se është duke u bërë testimi i filtër stacionit të ujësjellësit. Dy minsitritë përgjegjëse për kontrollim të procesit konfirmojnë për redaksinë tonë se problemi më i madh qëndron te cilësia e ujit.

Banorët e Komunës së Likovës edhe këtë vit vazhdojnë të përballen me mungesën e ujit të pijshëm për shkak të problemeve të vazhdueshme teknike me ujësjellësin. Tubacionet dhe rezervuarët e ujit janë ndërtuar para 10 viteve. Ndonëse ka pasur disa projekte dhe premtime për rrjetin e ujësjellësit, i njëjti mbetet i papërfunduar në terren. Banorët kërkojnë që ky problem të zgjidhet sa më parë, pasi siç thonë, bëhet fjalë për nevojë njerëzore elementare që institucionet nuk kanë arritur t’ua zgjidhin.

Probleme me cilësinë e ujit

Në lidhje me këtë problem, Portalb.mk kontaktoi Komunën e Likovës, Ministrinë e Transportit dhe Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Nga Ministria e Transportit (МТ) theksuan se nuk mund të bëhet pranimi teknik për projektin, gjegjësisht nuk mund të shpallet i përfunduar dhe të lëshohet në përdorim, për shkak se ka probleme me cilësinë e ujit.

“Pranimi teknik do të bëhet kur të përfundojë tërësisht projekti, që do të thotë se edhe ndërtimi i tubacionit dhe uji që kalon duhet të jetë teknikisht i rregullt. Në këtë moment, tubacioni është ndërtuar plotësisht dhe uji është lëshuar, por cilësia e ujit nuk përmbush standardet për ujë të pastër, dhe për këtë arsye, tani Komuna e Likovës dhe Ministria e Mjedisit Jetësor po marrin masa të caktuara, nuk e di çfarë, për ta bërë ujin të pastër”, thanë nga Ministria e Transportit.

Ndërsa nga ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) thonë se është duke u bërë testimi i pajisjeve të stacionit filtrues të ujit.

“Për nevojat e sistemit rajonal të ujësjellësit të Komunës së Likovës, është planifikuar një stacion filtrues me pastrim primar. Financimi i Stacionit të Filtrimit është siguruar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ndërsa precipitatori përmes Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. Në vijim është testimi i pajisjeve të stacionit të filtrit dhe të precipitatorit nga të gjitha palët e involvuara në ndërtimin e objekteve që nga momenti kur do të krijohen kushtet për ujë të shëndetshëm dhe higjenikisht korrekt, objektet do të vihen në përdorim”, thanë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Edhe nga Komuna e Likovës theksuan se është dukë u bë testimi i filtër stacionit.

“Është duke u bë testimi i filtër stacionit dhe pas kryerjes të këtyre procedurave do na jepet leja e shfrytëzimit nga Ministria e Transportit”, thanë nga Komuna e Likovës.

Elemente të rrjetit të ujësjellësit dhe rezervuarit në fshatin Nikushtak. Foto nga faqja e komunës së Likovës në Facebook.

Portalb.mk ju sjell një kronologji të asaj se çfarë u premtua dhe çfarë (nuk) u punua për ujin e pijshëm në Komunën e Likovës.

  • 2024

30 korrik 2024, Komuna e Likovës dhe Ministria e Transportit thanë se ende është duke u bërë testimi i ujësjellësit.

20 qershor 2024, Komuna e Likovës për Portalb.mk tha se është duke u bërë testimi i filtër stacionit të ujësjellësit.

  • 2023

Kryetari i komunës së Likovës Erkan Arifi tregoj se një ndër projektet kapitale që do të realizohet në vitin 2024, është projekti i ujësjellësit dhe do të bëhet lëshimi i ujit në përdorim për banorët e kësaj komune, duke filluar nga fshati Likovë dalëngadalë edhe në fshatrat tjerë.

  • 2022

Zëvendës kryeministri Artan Grubi, së bashku me ministrin e Ambientit Naser Nuredinin dhe kryetarin e komunës së Likovës Erkan Arifin, nënshrkuan marveshjen e transferimit të mjeteve me vlerë 200 milionë denarë, të cilët i ka ndarë Qeveria nga buxheti i vitit 2022, për përfundimin e projektit të ujësjellësit në Komunën e Likovës.

  • 2021

Në vitin 2021, fshati Sllupçan ka pasur probleme serioze me ujin. Përshkak të bunareve që janë shterur nëpër shtëpitë e tyre, banorët e fshatit nuk kanë pasur ujë të pijshëm. Pas luftes së vitit 2001, ky fshat kishte vetem një kerkresë “ujë”.

  • 2018

Në komunën e Likovës punimet e projektit të ujësjellësit kanë vazhduar për të gjitha vendbanimet e komunës, është bërë vendosja e gypave nëpër fshatra për ujë të pijshëm, në tre lokacione, prej fshatit Mateç, fshatit Vishticë dhe deri te fshati Nikushtak, ku përveç këtyre lokacioneve paralelisht kanë punuar edhe në lokacionin prej fshatit Sllupçan deri të fshati Opajë.

  • 2016

Ish kryetari i komunës së Likovës Sadulla Duraku, në fshatin Sllupçan promovoi projektin rajonal, “Rrjeti Rajonal i Ujësjellësit”, i cili parashikoi tre faza. Projekt i cili ka kushtuar 2.5 milionë euro. Ai shtoi se së shpejti do të rrumbullakohej realizimi i projektit dhe do të vazhdojë me fazën e parë dhe fazën e dytë.

  • 2014

Në shtator të vitit 2014, kryetari i atëhershëm i Komunës së Likovës Sadulla Duraku tregoi se ka filluar faza e tretë e ndërtimit të ujësjellësit në vendbanimet e fshatrave të kësaj komune, që arrin vlerën prej një milion euro, i cili synon ndërtimin e infrastrukturës së plotë të ujësjellësit, pritet të zgjidhet njëherë e mirë problemi i furnizimit me ujë të pijshëm.

Erkan ArifiKomuna e LikovësLikovaMinistria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH)Ministria e Transportit (MT)UjësjellësiUji - ujë