Kompanitë në pritje të kushteve për kredinë hungareze, Qeveria ende nuk e ka nënshkruar marrëveshjen

Oda Ekonomike dhe Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore nuk kanë kurrëfarë detajesh për atë se si do të shpërndahen 250 milionë eurot e paralajmëruara nga Qeveria si kredi nga Hungaria, e që do të dedikohen për zhvillimin e bizneseve. Jozyrtarisht nga Odat thonë se ende nuk i dinë kriteret dhe as nëse do të jenë kredi për kompanitë apo diçka tjetër. Ata presin të informohen dhe më pas do të vendosin nëse do të aplikojnë, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

17 shtator të vitit 2024 Kuvendi e miratoi Ligjin për huamarrje nga ana Republikës së Maqedonisë së Veriut me kredi nga Banka Hungareze e Eksportit-Importit, nga e cila do duhet të marrë 500 milionë euro hua. Gjysma e këtyre parave, gjegjësisht 250 milionë euro, do të jenë në dispozicion për projekte për komunat dhe shpallja tashmë është publikuar dhe në të kanë konkurruar të gjitha komunat.

Për gjysmën tjetër të parave, në përgjigjen që Qeveria ia ka dërguar Radios Evropa e Lirë, thuhet se kushtet tashmë dihen.

“Sigurisht që do të ketë kushte, ato tashmë i janë komunikuar publikut dhe kanë të bëjnë me rritjen e paralajmëruar të prodhimtarisë dhe rritjen e punësimit, pra siç është paralajmëruar ekonomia, kompanitë pritet të marrin pjesë me së paku po aq para, 250 milionë, duke rritur apo dyfishuar prodhimtarinë dhe duke krijuar së paku 5.000 vende të reja të punës, të cilat do të ndikojnë në rritjen e përgjithshme ekonomike të Maqedonisë”, shkruajnë nga Qeveria.

Opozita, nga ana tjetër, është e mendimit se arsyeja pse qeveria nuk ka krijuar ende as një sistem, e as nuk ka përcaktuar një mënyrë për t’i shpërndarë paratë deri tek kompanitë, është pikërisht fakti se kredia është negociuar me nxitim dhe jashtë institucioneve.

“Ne presim të shohim se çfarë është dhe si do të lëshohen ato mjete në ekonomi. Ne si deputetë kemi po aq informacion sa publiku për atë se si dhe në çfarë mënyre do të përdoren këto burime financiare. Kjo është një qasje e paqartë ndaj një sasie serioze të burimeve financiare të cilat paraqesin një detyrim për shtetin, si dhe për qytetarët. Po futet në borxh çdo qytetar i Maqedonisë, çdo fëmijë që do të lindë, ndërsa në thelb ne nuk e dimë se si dhe në çfarë mënyre do të përdoren dhe për çfarë”, thotë koordinatori i Grupit Parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovski.

Paraprakisht kryetari i Odës Ekonomike, Branko Azeski, deklaroi se kompanitë nuk janë të interesuara për asgjë tjetër, përveçse të marrin kapital të ri, por në kushte të pranueshme për to.

“Kompanitë do duan t’i marrin paratë që kanë një normë interesi më të ulët, që është normale, por në këtë mënyrë ne do të krijojmë vetëm një zgjidhje të përkohshme për situatën. Gjithçka duhet të realizohet si paketë, dhe të sigurohen mjete për ta mbështetur biznesin, por edhe për t’i zgjidhur të gjitha çështjet problematike të cilat ne vazhdimisht po i theksojmë. Në këtë mënyrë ne do të krijojmë një mjedis cilësor afarist në të cilin shteti do të ketë funksion rregullator, ndërsa biznesi do të bëjë një konkurrencë të barabartë në terren, pa ndërhyrjen e tij”, tha Azeski (23.07.2024).

Kushtet me të cilat shteti po e merr kredinë nga Hungaria janë 3,25 përqind interes vjetor, një grejs periudhë trevjeçare dhe një afat prej 12 vjetësh për shlyerjen e kredisë.

Para hungareze nëpërmjet bankave komerciale vendase

Marrëveshja për sigurimin e mjeteve nga kredia hungareze, një pjesë e dedikuar për kompanitë, pritet të nënshkruhet në fillim të muajit të ardhshëm, thanë nga Qeveria për. Ndonëse ende e panënshkruar, ajo hyri në ligjin e miratuar si dokument zyrtar sepse ishte kusht i Eksim Bank në Hungari, e cila e jep kredinë. Ajo e ka kushtëzuar Maqedoninë e Veriut që ta miratojë ligjin , pas çka do të vërë nënshkrim. Edhe pse në përgjigjen e Qeverisë nuk ka shumë detaje, nga atje thonë se për kredi kompanitë do të aplikojnë tek bankat komerciale.

“Pritet që ato të vihen në dispozicion të kompanive përmes Bankës së Zhvillimit dhe më pas përmes bankave komerciale, me të njëjtat kushte me të cilat është marrë kredia (nga Banka e Eksport-Importit të Hungarisë)”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Në marrëveshje ka ende një sërë aktivitetesh të ndaluara për të cilat nuk duhet të përdoren këto para, pa dallim nëse janë për komunat apo bizneset. Ndalohen transaksionet që lidhen me pastrimin e parave, për financimin e terrorizmit, të cilat janë në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit hungarez të BE-së, për financimin e produkteve dhe shërbimeve që janë etikisht ose moralisht të papranueshme, si pajisjet ndihmëse seksuale ose produktet mediatike, eksperimentimi me kafshë.

Për ekspertët e huaj është e dyshimtë koha e dhënies së kredisë

Daniel Hegedus, një bashkëpunëtor i lartë në institutin e politikave publike të “Fondit Marshall” në Gjermani, Berlin, i cili ka kohë që e ndjek populizmin dhe regresin demokratik në Evropën Qendrore dhe Lindore, për Radion Evropa e Lirë tha se elitat hungareze do të përfitojnë nga lidhjet financiare me Maqedoninë e Veriut, edhe nëse përfitimet për huadhënësin hungarez, Eksim Bank, mbeten më pak të qarta.

Ai është i mendimit se një nga qëllimet e deklaruara të qeverisë hungareze është ta pozicionojë Hungarinë si një kreditor ndërkombëtar dhe të përdorë kredi preferenciale të synuara për ta zgjeruar ndikimin global të vendit.

“Megjithatë, koha e dhënies së kësaj kredie duket e dyshimtë, sidomos duke pasur parasysh deficitin aktual buxhetor të Hungarisë dhe nivelet e borxhit publik, të cilat janë në nivele të papara që nga kriza financiare 2008-2009. Kjo është posaçërisht shqetësuese duke pasur parasysh kredinë prej 1 miliardë eurosh të cilën Hungaria e siguroi nga Kina në fillim të këtij viti. Mirëpo, edhe pse Qeveria nuk mund të përdorë banka të kontrolluara nga shteti për ta financuar drejtpërdrejt deficitin publik, ajo i përdor ato për ta zgjeruar shtrirjen e saj politike dhe ekonomike jashtë vendit”, thotë Daniel Hegedus.

Kryeministri hungarez Viktor Orban gjatë vizitës së tij zyrtare në Maqedoninë e Veriut të premten, më 27 shtator, mohoi çdo lidhje me Kinën sa i përket dyshimeve që u ngritën në opinionin hungarez për origjinën e parave.

“Sa i përket kredisë, ne nuk mund të japim një kredi kineze, nuk mund të japim para kineze. Ne kemi një marrëveshje me Kinën që të gjitha paratë që vijnë nga Kina të shkojnë për projekte konkrete, ne nuk mund t’ju japim para kineze, por mund t’ju japim para evropiane dhe do t’jua japim”, tha Orban.

Përndryshe, banka “Eksim” është në pronësi njëqind përqind të Hungarisë dhe tashmë dihet se një kredi të ngjashme i ka dhënë edhe Republikës Srpska, në një marrëveshje me presidentin Milorad Dodik në vitin 2021.

HungariaKredi bankareOda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP)Oda Ekonomike RMVQeveria e Maqedonisë së Veriut