Komisioni për Financa dhe Buxhet ka miratuar me 10 vota “për” organizimin e një debati publik për Ligjin për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, pa asnjë votë kundër apo të përmbajtur, transmeton TV21.
Vendimi u mor pas tre kërkesave të dorëzuara nga grupi parlamentar i LSDM-së, asociacioni APIS dhe përfaqësues të industrisë së lojërave të fatit në kuadër të Odës Ekonomike.
Asociacioni APIS e ka mirëpritur vendimin për debat publik, duke theksuar se për herë të parë u jepet mundësi sektorit të kontribuojë me ekspertizë në hartimin e ligjit.
Ata vlerësojnë se deri tani industria nuk është përfshirë mjaftueshëm në proces, ndonëse sipas tyre zbatojnë një nga ligjet më të rrepta në rajon dhe kanë përvojë të drejtpërdrejtë në këtë fushë.
Sipas propozim-ligjit aktual, parashikohen kufizime të rrepta për reklamimin e lojërave të fatit, përfshirë ndalimin e promovimeve që i paraqesin si rrugë drejt suksesit financiar, si dhe ndalimin e përdorimit të figurave publike dhe targetimit të të miturve.
Me 59 vota ‘për’ dhe 9 ‘kundër’, deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut më 12 qershor e kaluan në lexim të parë Propozim-ligjin për lojërat e fatit, me të cilat parashikohet që kazinotë të largohen së paku 500 metra larg shkollave, por kjo nuk vlen për bastoret. Për pushtetin kjo është një arritje e madhe, ndërsa për opozitën ligji duhet të jetë më rigoroz. Antibixhozi kërkon mbyllje të plotë të lojërave të fatit.
Propozim-ligjin e plotë mund ta lexoni KËTU.
Kur pritet të hyjë në fuqi?
Neni 193 thotë se: Ky ligj hyn në fuqi ditën e tetë nga dita e publikimit të tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ndërkaq Neni 180 përcakton se organizatorët e lojërave të fatit janë të detyruar ta harmonizojnë veprimtarinë e tyre me dispozitat e ligjit brenda gjashtë muajve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Nëse nuk e bëjnë këtë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me propozim të Ministrisë së Financave, do t’ua heqë licencat me vendim.
Kujtojmë se ky propozim-ligj u zvarrit vazhdimisht, fillimisht pasi më 7 gusht 2025 u dorëzua në Kuvend pas miratimit nga Qeveria 16 korrik 2025, gati se një vit më vonë, në prill 2026 u tërhoq për precizim, ndërsa më pas u miratua përsëri më 12 maj nga Qeveria.
Për këtë ligj, opozita vazhdimisht ka akuzuar se qeveria i mashtron qytetarët dhe se në praktikë kjo nuk do të zbatohet ashtu siç ata e promovojnë dhe se gënjejnë popullin.
Koalicioni VLEN i cili është në pushtet, ndryshe premtoi dhe ndryshe veproi. Ky koalicion para se të bashkohet në një parti, e ndërtoi identitetin e tij elektoral rreth premtimit radikal, mbylljen e të gjitha kazinove dhe largimin e bixhozit nga jeta e përditshme e qytetarëve.
- LEXO: Nga mbyllja totale te distanca 500 metra, si VLEN-i “luajti” bixhoz me premtimet ndaj qytetarëve
Përpjekje për të rregulluar industrinë e lojërave të fatit ka pasur disa herë në të kaluarën, përfshirë edhe gjatë qeverisjes së mëparshme LSDM–BDI.
Në mars të vitit 2024, Parlamenti nuk arriti të miratojë Ligjin për Lojërat e Fatit dhe Lojërat Argëtuese, i cili do të parashihte që objektet e lojërave të fatit të zhvendoseshin më shumë se 500 metra nga shkollat fillore dhe të mesme.
Kjo ishte përpjekja e dytë për të miratuar një zgjidhje ligjore pasi ligji u miratua nga deputetët më 7 shkurt, por Presidenti i atëhershëm i vendit, Stevo Pendarovski, nuk e nënshkroi Dekretin.