Kombëtarja e juniorëve të RMV-së në basketboll fitoi titullin e Kampionatit Evropian

Kombëtarja e juniorëve të Maqedonisë së Veriut fitoi titullin e Kampionatit Evropian – Divizioni B i mbajtur në Shkup, pasi vazhdoi serinë e fitoreve në finalen e djeshme kundër Austrisë, duke triumfuar me rezultatin përfundimtar 98-88. Me këtë fitore, kjo gjeneratë basketbollistësh rikthehet pas dy vitesh në elitën evropiane, transmeton Portalb.mk.

Për të rinjtë e Maqedonisë kjo ishte finalja e katërt në garat nga B-divizioni dhe trofeu i parë. Ekipi nën 20 vjeç e luajti finalen vitin e kaluar në Shkup, por edhe në vitin 2006 në Lisbonë dhe humbi të dy herët. Basketbollistët nën 16 vjeç luajtën në finale në 2004 në Brighton, ndërsa kombëtarja U18 fitoi trofeun e parë në finalen e saj të parë.

“Verdhekuqtë” e zhvilluan ndeshjen me kurajo dhe motivim, duke konfirmuar klasin e tyre me triumfin e shtatë radhazi si dëshmi e qartë e dominimit absolut.

Në të gjitha ndeshjet, e sidomos dje në finale, lideri kryesor i skuadrës ishte Nikola Janiçiq. Ai shënoi 30 pikë dhe fitoi me meritë çmimin MVP, lojtari më i mirë i kampionatit. Krahas tij në pesëshen ideale është përzgjedhur edhe Marko Lukanoski.

Përveç Maqedonisë së Veriut dhe Austrisë, ngjitjen në divizionin A e siguroi edhe përzgjedhja e Bullgarisë, e cila mposhti Poloninë me rezultat 85-64 në ndeshjen për vendin e tretë.

BasketbollSport