Titulli i këtij shkrimi ngërthen simbolikë diadike, asocion dy gjëra të ndryshme, një figurë emblematike historike globale dhe një ushqim të këndshëm me bazë të kakaos: (1) Chrisopher Columbus (1451–1506), një eksplorues dhe navigator italian, i cili me udhëtimet e tij përtej Oqeanit Atlantik, të sponsorizuara nga Spanja, çoi në njohjen evropiane të kontinenteve amerikane. Udhëtimi i tij në vitin 1492 shpesh cilësohet si “zbulimi” i Amerikës, ndonëse, njerëzit kishin jetuar në këto troje për mijëra vjet; thuhet se vikingët kishin arritur në Amerikën e Veriut disa shekuj para Kolombi-t. (2) “Kolumbo”, një markë/brend kroat i çokolladës i njohur për produktet me cilësi të lartë dhe shije të veçantë, prodhuar nga “Kraš”-i i themeluar në vitin 1911 në Zagreb. Ishte ky momentumi kur Julije König, me njohuritë dhe ekspertizën e tij në përgatitjen e konfekcionerisë-pastiçerisë, dhe Slavoljub Deutsch, me kapitalin e tij, u bashkuan për të nisur Fabrikën “Union”. Kolumbo, nostalgji e vitete 1970, 1980 dhe 1990 që i përngjan “Toblerone”-s zviceriane dhe që tregtohet si “dozë ditore e pauzave të shkurtra”, është kombinim i papërballueshëm i çokolladës me mjaltë dhe copëza të lajthisë, një ëmbëlsirë që ka rritur gjenerata. E njëjta për shumëkë ishte e paarritshme, e vërenin vetëm në TV reklama ose në letrat e hedhura ballkançe skajeve të rrugëve pas konusmimit. Një nga publicitetet lidhur me këtë produkt ishte: “Pasha Amerikën, kam zbuluar ‘Kolumbo’-n!” Do shënuar se prodhuesi i “Kolumbos” mban firmën edhe të “Bajadera”-s së famshme që jepet dhe merret si dhuratë prominente.
Fundi i viteve 2010. Një qytezë në veri të Holandës që një grup shokësh e vizituan në kuadër të turneut të tyre nëpër Europë. Turisti shqiptar më i shkolluar tha: “Ika në dhomë t’hotelit ta përmbyll kolumnën dhe kthehem! Shihemi.” “Lehtë e ke ti”- ia ktheu burri 35-vjeçar, afarist i suksesshëm, artikullshkruesit të etabluar ndër vite. “Shkruan një ‘kolumbo’ dhe ja ku janë paratë. Qëkur përgatit ‘kolumba’ në tema të ndryshme, ke bërë edhe emër edhe lekë”. “Hahaha, bash ashtu” – ia dhanë gazit ata që ishin prezentë duke pickuar kolumnistin. Biznesmeni dinte se shkollari shkruan shkrime javore dhe ironizoi për të krijuar atmosferë. Dhe autori, i mobilizuar nga shakaja me bazë reale, nisi të mendojë faktin se ka shumë njerëz tanët që s’e dinë as emërtimin e këtij lloji të teksteve javore, lëre më të kenë lexuar – deri në fund – ndonjë artikull të kësaj natyre, të kolumnave si kategori publicistike. Një sekuencë e niveit tonë kulturor dhe edukativ.
Siç dihet kolumna (nga latinishtja columna, “styllë”) është një tekst gazetaresk i shkruar shpesh me ton ironik, madje satirik. Qysh në kohën antike radhët në shkrim janë vendosur vertikalisht, duke iu ngjarë shtyllave, formë shprehjeje kjo që ka kaluar në gazetari, duke u zhvilluar në zhanër shkrimor serioz. Kolumna është një shkrim i rregullt në media, ku autori shpreh mendimet, përsiatjet, komentet ose vëzhgimet e tij për ngjarje të ndryshme, duke përdorur një stil të drejtpërdrejtë dhe personal. Shkrimtari i kolumnës quhet kolumnist: autor me shtyllën e tij permanente në gazetë, revistë a blog në një temë të caktuar. Komentatori i parë i gazetave ishte John Hill, i cili nën pseudonimin “Inspektori”, në vitin 1751 filloi të shkruante kolumna të rregullta në gazetën “London Adviser” dhe në “Literary Chronicle”. /vazhdon/
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.