KMK shqiptoi sanksione kundërvajtëse ndaj katër kompanive tregtare dhe UOM-it për pjesëmarrje në marrëveshje të ndaluar

Komisioni për Vendosje në Kundërvajtje pranë Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës (KMK) ka miratuar një vendim me të cilin konstatohet se katër shoqëri tregtare që operojnë në tregtinë me pakicë të produkteve ushqimore, si dhe Unioni i Odave Ekonomike të Maqedonisë (UOM) në rolin e koordinatorit, kanë marrë pjesë në një marrëveshje të ndaluar dhe/ose në sjellje të harmonizuar, në kuptimin e nenit 59 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, transmeton Portalb.mk.

“Gjatë procedurës është konstatuar se në një takim të mbajtur më 5 shkurt 2025, pjesëmarrësit kanë arritur një qëndrim të përbashkët për të mos pranuar çmime të reja apo të rritura nga furnitorët, duke zëvendësuar sjelljen e pavarur konkurruese me koordinim praktik. Ky lloj sjelljeje, sipas natyrës së tij, përbën kufizim të konkurrencës së ashtuquajtur “by object”, i cili është i ndaluar pa pasur nevojë për dëshmi shtesë mbi efektet e tij në treg”, njofton KMK.

Me vendimin e miratuar, siç thuhet në komunikatë, janë shqiptuar sanksione kundërvajtëse, gjoba në shumën prej 3.075.000 denarësh për secilën nga shoqëritë tregtare që veprojnë në tregtinë me pakicë të produkteve ushqimore, ndërsa Unionit të Odave Ekonomike të Maqedonisë i është shqiptuar një gjobë në vlerë prej 1.143.000 denarësh, me qëllim parandalimin e shkeljeve të ardhshme dhe mbrojtjen e konsumatorëve dhe konkurrencës së tregut.

Ekonomia e shtetit - Lajme ekonomi