Fraksionet palestineze, që përfshinë rivalët Hamas dhe Fatah, ranë dakord t’i japin fund ndarjeve dhe të formojnë një qeveri të unitetit kombëtar gjatë bisedimeve në Kinë që përfunduan sot. Bisedimet e pajtimit përfshinin 14 fraksione palestineze, të cilat përfundimisht nënshkruan Deklaratën e Pekinit, raporton CNN.
Përpjekjet e mëparshme të Egjiptit dhe vendeve të tjera arabe për të pajtuar Hamasin dhe Fatahun nuk kanë arritur t’i japin fund konfliktit 17-vjeçar që ka dobësuar aspiratat politike palestineze. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse marrëveshja e arritur do t’i mbijetojë realitetit në terren.
Takimi në Pekin u zhvillua në mes të përpjekjeve të ndërmjetësve ndërkombëtarë për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Gaza. Zyrtari i lartë i Hamasit Hussam Badran tha se pika më e rëndësishme në deklaratë ishte formimi i një qeverie palestineze të unitetit kombëtar për të menaxhuar çështjet palestineze në Gaza dhe Bregun Perëndimor, duke përfshirë rindërtimin dhe përgatitjen e kushteve për zgjedhje.
Aktualisht, Hamasi qeveris Gazën, ndërsa Fatah është shtylla e vetëqeverisjes palestineze, i cili ka kontroll të kufizuar mbi Bregun Perëndimor të pushtuar. Të dy fraksionet u takuan për herë të parë në Pekin në prill në një përpjekje për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes, e cila filloi pasi Hamasi e dëboi Fatahun nga Gaza pas një lufte të shkurtër në 2007.
Marrëveshja përfaqëson një sukses diplomatik për Kinën dhe ndikimin e saj në rritje në Lindjen e Mesme. Ajo ka ndërmjetësuar më parë për përmirësimin e marrëdhënieve mes Iranit dhe Arabisë Saudite.