Kievi nën sulm me raketa, një grua u vra në Kharkiv dhe mbi 40 persona u plagosën

Forcat ajrore të Ukrainës thanë se raketa të shumta u lëshuan në Kiev herët këtë mëngjes, menjëherë pasi u ngritën alarmet ajrore kombëtare për kërcënim të bombardimeve ruse, raporton Guardian, duke cituar agjencitë botërore të lajmeve, transmeton Portalb.mk.

Një seri prej më shumë se 10 shpërthimesh të forta u dëgjuan nga gazetarët e Agence France-Presse këtë mëngjes në Kiev, ndërsa ndërtesat në qendër u tronditën.

Administrata ushtarake e qytetit tha se pjesë të raketave të rrëzuara ranë në disa zona, duke përfshirë ndërtesat e banimit. Kryebashkiaku Vitaliy Klitschko thotë se në disa zona të kryeqytetit është ndërprerë energjia elektrike.

“Kiev – qëndroni në strehimore. Shumë raketa po lëvizin në drejtimin tuaj”, thanë forcat ajrore në Telegram.

Ka pasur gjithashtu sulme në qytetin verilindor të Kharkiv, tha kreu i administratës ushtarake, Oleg Sinegubov. Agjencia Ukrinform raporton se një grua ka humbur jetën dhe 41 persona janë plagosur në sulmin me raketa ruse. Kështu deklaroi guvernatori i rajonit të Kharkiv, Oleh Siniehubov, në një postim në Telegram.

“Personeli mjekësor po ofron ndihmë për 22 të plagosur. Gjashtëmbëdhjetë persona janë shtruar në spital. “Shërbimet vazhdojnë të eliminojnë pasojat e sulmeve të armikut”, thuhet në postim.

Në distriktin Pechersk të Kievit, çatia e një ndërtese nëntëkatëshe dhe një ndërtese tjetër njëkatëshe u goditën, tha administrata ushtarake. Zjarret shpërthyen në një supermarket dhe në një magazinë, tha kryebashkiaku i Pechersk.

Lufta në UkrainëRusiaUkraina