Këshilltarët komunal të Bashkimit Demokratik për Integrim në Tetovë sot përmes një konference për shtyp theksuan se udhëheqësit e Komunës së Tetovës po i keqpërdorin paratë e tetovarëve për të bërë propagandë partiake, sipas tyre, këtë e dëshmojnë portalet dhe faqet partiake të cilat menaxhohen nga administratorët e komunës. Por, nga Komuna e Tetovës e mohuan një gjë të tillë, transmeton Portalb.mk.
Këshilltarja Kujtesa Bajrami duke mos përmendur emra tha se këto persona paguhen me paratë e tatimpaguesve, ndërsa në vend se të punojnë në dobi të qytetarëve të Tetovës, ata punojnë për të glorifikuar partinë që i ka punësuar dhe kryetarin e Komunës së Tetovës.
“Në mungesë të punëve dhe projekteve konkrete, e vetmja gjë që u ka mbetur klanit të mafisë urbane që po udhëheqë me Komunën e Tetovës është që të shpifin, të linçojnë dhe të prodhojnë lajme të rrejshme me portalet që i zotojnë, gjithmonë duke dëmtuar buxhetin e tetovarëve”, tha Bajrami.
Ata madje ngjitën edhe para hyrjes së komunës, por të njëjtat u larguan pak minuta pasi mbaroi konferenca për shtyp.
Nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk mohuan këto akuza.
“Këto portale nuk kanë të bëjnë me ne andaj nuk kemi çka të reagojmë”, thanë nga Komuna e Tetovës.
Këshilltarët e BDI-së, të pyetur për dhjetë portalet që lavdërojnë BDI-në dhe shajnë kundështarët nuk komentuan me arsyetimin se flasin në cilësi të këshilltarëve komunal vetëm për problemet e Komunës së Tetovës dhe se ka instanca të tjera për këtë çështje.
Ndryshe, periudhën e fundit Inspektorati Komunal ka intensifikuar aktivitetet për largimin e objekteve pa leje në hapësirat publike në disa pjesë të qytetit.