Këshilli Drejtues i Kopshtit Zoologjik duhet ta shqyrtojë aplikimin e Galetanovskit, por në Këshillin Drejtues nuk ka njerëz

Kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska, në konferencën e djeshme për media, në lidhje me zgjedhjen e drejtorit të ri të Kopshtit Zoologjik të Shkupit, tha se hapin e parë duhet ta bëjë Këshilli Drejtues i këtij institucioni. Në konkursin për drejtor të Kopshtit Zoologjik të Shkupit, institucion i cili gjatë viteve të fundit është tronditur rregullisht nga skandale të njëpasnjëshme, ka konkurruar vetëm Gjorgi Galetanovski, i cili ishte drejtor deri në vitin 2021, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

“Ligji e përcakton mënyrën se si bëhet kjo, gjegjësisht Këshilli Drejtues është ai që duhet ta bëjë hapin e parë, para se dokumentet të dorëzohen dhe shqyrtohen nga Qyteti, kështu që ne e presim këtë nga Këshilli Drejtues i institucionit”, tha Arsovska në pyetjen e gazetarëve për atë se kur do të ketë vendim nëse Galetanovski do të jetë drejtor i ri i Kopshtit Zoologjik.

Por në Këshillin Drejtues të Kopshtit Zoologjik ka vetëm një person. Vetë Arsovska nuk ka mundësi të mos e dijë këtë gjë, sepse në dokumentin e siguruar nga Meta.mk shihet qartë se më 7 gusht të vitit 2024, dy nga tre anëtarët e Këshillit Drejtues të Kopshtit Zoologjik të Shkupit kanë dhënë dorëheqje për shkak të mospajtueshmërisë së funksioneve.

Prandaj, mbetet e paqartë se për cilin Këshill Drejtues flet Arsovska, kur Qyteti i Shkupit tashmë është njoftuar se nuk ka kuorum për punë, ndërsa dy anëtarët që kanë qenë anëtarë tashmë janë caktuar në pozita të tjera nga vetë kryetarja.

Sipas dokumentit anëtarja e Këshillit Drejtues të Kopshtit Zoologjik, Rozeta Vllahoviq, është emëruar ushtruese e detyrës drejtoreshë e Institucionit Publik Shtëpia e fëmijëve “11-Tetori” Shkup, ndërsa kryetari i Këshillit Drejtues të Kopshtit Zoologjik, Jovica Nikçevski, ka dhënë dorëheqje sepse u emërua ushtrues detyre drejtor i IK Biblioteka Universitare “Kliment Ohridski” – Shkup.

“Me qenë se kemi mbetur pa kryetar dhe pa një anëtar të Këshillit Drejtues të institucionit, për shkak të mospërputhshmërisë së kryerjes së dy funksioneve në të njëjtën kohë, ju njoftojmë si kompetent për emërimin e anëtarëve të këshillave drejtuese të institucioneve publike nën juridiksionin e Qytetit të Shkupit për gjendjen e krijuar së fundmi”, thuhet në letrën e Kopshtit Zoologjik të Shkupit të nënshkruar nga u. d. drejtor Zoran Popovski, dhe ku ai shton se “duhet vepruar urgjentisht për të mundësuar funksionim normal të Institucionit”.

Por edhe pse nga atëherë kanë kaluar gati dy javë, ende nuk ka Këshill Drejtues që mund ta shqyrtojë aplikimin e Galetanovskit për drejtor të ri të Kopshtit Zoologjik në Shkup, sepse në Këshillin Drejtues ka mbetur vetëm Bojan Angellovski, i cili gjithashtu me shkrim i është drejtuar Qytetit të Shkupit për ta informuar Arsovskën se nuk ka kuorum për shqyrtimin e aplikacioneve nga konkursi për drejtor të ri të Kopshtit Zoologjik në Shkup.

Shpallja për drejtor të ri të Kopshtit Zoologjik në Shkup përfundoi më 14 gusht. I vetmi person që aplikoi në këtë shpallje ishte Gjorgi Galetanovski, ndërsa publiku i dha përkrahje të madhe kur deklaroi se ka afinitet që edhe një herë të qëndrojë në krye të institucionit që vitet e fundit është tronditur nga një sërë skandalesh.

Të gjitha përpjekjet e kryetares Arsovska për të vendosur një person të përshtatshëm në këtë pozitë nuk dolën të suksesshme. Ngordhën një numër i madh kafshësh, ndërsa fati i shumë prej tyre u mbajt sekret nga publiku.

Pas Galetanovskit në krye të këtij Institucioni erdhi Kristijan Stamenov, ndërsa më pas shpërtheu skandali të cilin e publikoi Meta.mk – se në oborrin e Kopshtit Zoologjik po therren dhjetëra kuaj të marrë nga Agjencia për menaxhimin e pasurisë së konfiskuar dhe u jepen si ushqim kafshëve të tjera. Pas kësaj u shkarkua drejtori i atëhershëm Stamenov dhe u emërua drejtor i ri – Dragan Ilievski. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit deklaroi se emërimi i tij ishte i kundërligjshëm, sepse, sipas KSHPK-së, Arsovska ka emëruar një person i cili nuk ishte i punësuar në këtë institucion publik, gjë që është në kundërshtim me nenin 31 të Ligjit për Kulturën, i cili parasheh emërimin e ushtruesit të detyrës drejtor nga radhët e punonjësve në ato institucione dhe me mandat vetëm 6 muaj. Pastaj, vetëm brenda një viti në këtë pozitë u emërua drejtor i ri – Zoran Popov, i cili tashmë ka shërbyer tre mandate si ushtrues detyre drejtor.

Danela Arsovska – DanellaKopshti Zoologjik ShkupQyteti i Shkupit