KE-ja siguroi se vendet e BE-së kanë deri në 3 muaj rezerva emergjente nafte

Komisioni Evropian njoftoi se vendet e Bashkimi Evropian kanë aktualisht rezerva emergjente nafte që mbulojnë rreth 85–90 ditë konsum, duke theksuar se nuk ekziston rrezik i menjëhershëm për mungesë furnizimi edhe pse çmimet e energjisë në tregjet globale janë rritur, transmeton Portalb.mk.

Zëdhënësja e KE-së, Anna-Kaisa Itkonen, deklaroi se Evropa është më e shqetësuar për koston e lartë të energjisë sesa për sigurinë e furnizimit. Ajo shtoi se sistemi i furnizimit është bërë më i qëndrueshëm falë diversifikimit të burimeve, me gaz që vjen kryesisht nga Norvegjia dhe LNG nga SHBA.

“Ne jemi shumë më pak të shqetësuar për sigurinë e furnizimit sesa për çmimet e larta të energjisë. Ky moment është një kujtesë e përsosur për t’u përqendruar në forcimin e pavarësisë dhe qëndrueshmërisë sonë energjetike, dhe ne e kemi bërë këtë për vite me radhë. Nuk ka mungesë të menjëhershme të furnizimit me naftë në Evropë”, shtoi Itkonen

Sipas saj, situata energjetike në Evropë mbetet stabile dhe rezervat e gazit janë ende të mjaftueshme për të përballuar pjesën e mbetur të sezonit dimëror. KE-ja dhe shtetet anëtare vazhdojnë të monitorojnë nga afër zhvillimet në tregjet e energjisë.

Bashkimi Evropian (BE)Çmimi i naftësKomisioni Evropian (KE)Nafta