Katër oferta arritën në tenderin për prokurimin e 150 autobusëve elektrikë në RMV

Katër kompani kanë paraqitur oferta në tenderin për prokurimin e autobusëve elektrikë të shpallur nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Sipas Ministrisë, tenderi është mbyllur dhe afati ligjor për marrjen e ofertave të mundshme me postë është ende në vazhdim, transmeton Portalb.mk.

“Pas festave të Pashkëve, ofertat e paraqitura do të vlerësohen. Nëse tenderi është i suksesshëm, 30 autobusët e parë duhet të mbërrijnë në shtator”, thotë Ministria e Transportit.

Nga 150 autobusë, 100 do të jenë për Qytetin e Shkupit, ndërsa 50 të tjerët për qytete të tjera.

Sipas specifikimit teknik në njoftimin e publikuar në faqen e internetit të Byrosë së Prokurimit Publik, vlera e parashikuar është 51 milionë euro. Autobusët duhet të jenë të kuq ose të bardhë, të kenë të paktën 33 vende dhe një kapacitet për të paktën 66 pasagjerë. Do të blihen gjithashtu 75 stacione karikimi autobusësh me një fuqi prej të paktën 120 kilovat për pikë lidhjeje në stacionin e karikimit.

Ky është tenderi i dytë qeveritar për prokurimin e autobusëve të rinj elektrikë, pasi i pari i shpallur në qershor dështoi sepse e vetmja kompani që aplikoi nuk i plotësoi kushtet e nevojshme.

Autobus(ë)Ministria e Transportit (MT)Qyteti i Shkupit