KAPITALIZIMI I KRIZËS

Në epokën e globalizimit bota funksionon sipas parimit të enëve të lidhura. Krizat dhe luftërat pavarësisht se ku ndodhin, ndikojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi edhe në vendet e vogla, që nuk kanë ndonjë ndikim në gjeopolitikën botërore.

Jetojmë në kohën kur fuqitë e mëdha garojnë për shtrirje të ndikimit në botë. Në këtë “përplasje elefantësh”, vendet e vogla shpesh shërbejnë si mjet për kusuritje.

Krizat, si shpeshherë në histori, janë shfrytëzuar nga korporatat dhe tregtarët e paskrupullt, të cilët i kanë kthyer ato në mundësi pasurimi. Barrën e pasojave e kanë mbajtur kryesisht shtresat më të varfra.

Në kohë krizash shtohet pasuria e të pasurve dhe varfërohen edhe më shumë të varfrit.

Paraprakisht krijohet psikozë frike dhe pasigurie, për qëllime manipulimi e përfitimi financiar.

Nën presionin e frikës dhe të pasigurisë njerëzit veprojnë të shtyrë nga ndjenja për mbijetesë, pa menduar për pasojat afatgjata të vendimeve të tyre.

Shembull për kapitalizim të krizës ishte rasti i fundit kur kompanitë ndaluan shitjen e naftës në pritje të rritjes së çmimit. Ky veprim është padrejtësi ndaj konsumatorëve. E njëjta gjë ndodh me shtrenjtimet e shpeshta të produkteve elementare jetësore.

Edhe pse teoria thotë se ekonomia e tregut bazohet në konkurrencë të drejtë, në praktikë mbizotëron kapitalizmi i krizës.

Ky fenomen shfaqet në periudha tronditjesh shoqërore, kurse përfitues më të mëdhenj janë kompanitë e ndryshme, elitat politike të lidhura me kapitalin dhe spekulantët.

Kompanitë i rrisin çmimet e produkteve jo për shkak të kostove, por për të përfituar sa më shumë.

Një shtet i organizuar nuk lejon abuzime të tilla. Shteti ekziston që ta organizojë kaosin dhe jo që ta lejojë atë. Aty ku nuk mbrohet konsumatori, përfitojnë “të mëdhenjtë”. Pasiviteti i institucioneve shtetërore do të thotë varfërim i qytetarëve dhe mbushje e llogarive të oligarkëve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSalajdin Salihu