Kaosi në trafikun e Gostivarit edhe këtë verë shkakton kokëdhimbje, nuk ka zgjidhje afatgjate

Kaosi në trafikun e Gostivart dita ditës po përkeqësohet, ndërsa kulmi pritet të arrihet me ardhjen e mërgimtarëve javëve në vijim. Ky kaos me vite shoqëron Gostivarin, ndërsa problem mbetet mungesa e parkingjeve. Qytetarët janë lodhur nga kjo gjendje, kërkojnë zgjidhje. Ndërsa autoritetet arsyetohen, shkruan Portalb.mk.

Mjafton një ecje përgjatë rrugëve kryesore të Gostivarit për të kuptuar parregullsitë në komunikacion, duke filluar nga mungesa e parkingjeve, parkingu jo i rregullt, qytetarë që nuk respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të tjera.

E gjithë kjo problematikë del në pah më shumë gjatë muajit korrik dhe gusht kur vijnë mërgimtarët, me çka numri i veturave shtohet dukshëm.

Por, kjo gjendje me vite nuk ka qenë alarm për autoritetet që të gjejnë zgjidhje.

Rrugë të bllokuara dhe shumë sirena veturash të shoferëve “pa durim”

Gazetarja e Portalb.mk doli një xhiro nëpër rrugët e Gostivarit për të parë gjendjen në terren. Ajo çfarë vihet re janë rrugët e bllokuara me vetura të parkuara vend e pavend, madje duke bllokuar edhe trotuaret. Ka ende shoferë të papërgjegjshëm të cilët bllokojnë “pa arsye” trafikun, disa të tjerë madje nuk japin as sinjale. Këmbësorët ecnin nëpër rrugë pasi trotuaret ishin të bllokuara, çiklistët gjithashtu ecnin në mes të rrugëve në një vijë me veturat pasi nuk ka shtigje biçikletash. Sirenat e shoferëve të nervozuar dëgjoheshin gjithandej.

Qytetarëve ju ka ardhur deri në maje të hundës

Qytetarët e Gostivarit me të cilët biseduam shprehen se ky problem patjetër të zgjidhet.

Një qytetare e Gostivarit thotë se gjatë stinës së verës nuk preferon të del nëpër qytet nga trafiku i madh dhe rrugët e zëna me kolonë të veturave të parkuara nëpër hapësira para të dyqaneve.

“Komunikacioni në qytet ndonjëherë është i qetë por gjatë stinës së verës është mjerim. Si nga trafiku i tepërt por edhe nga parkimi i pa duhur gjë që bën bllokim të rrugëve. Unë gjatë verës nuk dal nëpër qytet me veturë sepse ndodh që të pres 40 minuta e ndonjëherë edhe një orë për të kaluar rrugën që jashtë sezone e kaloj për 10 minuta”, tha ajo.

Nga ana tjetër Mevlana Mehmedi një qytetare tjetër thotë që komunikacioni në Gostivar është mirë por mund të bëhet edhe më mirë, pasi jo të gjithë qytetarët i respektojnë rregullat e komunikacionit.

“Objektet e vjetra të qytetit nuk kanë parkingje kështu që banorët e tyre detyrohen që veturat t’i parkojnë nëpër rrugë përball banesave të tyre gjë që shkakton trafik në rrugë sepse njëra kolon zihet me vetura”, tha ajo.

As gjobat nuk i ndalin qytetarët të parkohen në trotuare

Nga Sektori për Punë të Brendshme Tetovë në lidhje me parkimin e gabuar dhe të paligjshëm të automjeteve theksojnë se janë ndërmarrë të gjitha masat dhe aktivitetet e intensifikuara që do të mundësojnë qarkullimin normal dhe të rregullt nëpër zonat qendrore të qytetit të Gostivarit.

“Në të njëjtën kohë po diskutojmë me pushtetin vendor për hapjen e oborreve të disa shkollave fillore dhe të mesme që gravitojnë në pjesët qendrore të qytetit për të lejuar parkimin e automjeteve për të shmangur parkimin e dyfishtë, pra paralel, si dhe parkimin në kryqëzime, në trotuare, vendkalime për këmbësorë e të ngjashme, mjetet që pengojnë rrjedhën normale të komunikacionit do të merren nga shërbimet komunale të merimangës”, tha Tomisllav Naumovski.

Nga ana tjetër, i lartë mbetet numri i kundërvajtjeve për parkim të gabuar dhe të paligjshëm.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Policia apeloi që shoferët të respektojnë rregullat dhe rregulloret ligjore në komunikacion për të shmangur pasojat e rënda dhe bllokimin e trafikut, ndërgjegjësohen dhe kontribuojnë për sigurinë e tyre dhe të tjerëve.

Komuna e Gostivarit harroi premtimet

Kryetari i Komunës së Gostivarit Arben Taravari në fillim të vitit 2022, për TV2 deklaroi se do të fillojë ndërtimi i garazheve në kate.

“Shpresoj që këtë vit do të nisë ndërtimi i tyre, do të krijohen hapësira për parkim të veturave diku deri ne 250 vetura dhe me gjithë ato vende që ekzistojnë në komunën e Gostivarit gjithsejtë do të jenë 1100- 1200 vetura që është numër i konsiderueshëm dhe i mjaftueshëm për vendin tonë”, u shpreh asokohe Taravari.

Gjithashtu në po në të njëjtin vit Ndërmarrja Publike Parkingjet Publike dhe Gjelbërimi paralajmëroi se menjëherë pas përmirësimit të kohës do të fillojë ndërtimi i tre parkingjeve në kate edhe atë në afërsi të Entit për Punë Sociale, sallës sportive dhe te pjesa ku parkohen mjetet e urgjencës.

Nga ana tjetër ndërtimi i parkingjeve me kate është premtuar edhe në vitin 2018 nga ish drejtori i Ndërmarrjes Publike “Parkingjet Publike dhe Gjelbërimi”, Muzafer Zylbehari i cili ka theksuar se nevojat reale për parkim do t’i zgjidh ndërtimi i garazheve në kate.

Mirëpo, edhe pse kanë kaluar disa vite, garazhet në kate nuk janë ndërtuar, ka filluar ndërtimi i garazhit të parë që gjendet përballë shëtitores së lumit Vardar.

Për këtë problem pyetëm Komunën e Gostivarit të cilët thonë se komuna para ardhjes së mërgimtarëve do ta mbledhë Këshillin Lokal për Preventivë i cili përfshin ndërmarrjet publike, disa sektorë të komunës, policia, Kryqi i Kuq dhe shëndetësia primare.

“Po ashtu do të funksionojë edhe Zyra për Mërgimtarë, kurse parkingjet e shkollave fillore dhe të mesme do të jenë të lira për përdorim për ulur dendësinë e komunikacionit gjatë sezonit veror në Gostivar dhe rrethinë”, thanë nga Komuna e Gostivarit.

Kaosi në trafik, sidomos gjatë verës është problem edhe i shumë qyteteve tjera në vend.

Arben TaravariGostivariKaos trafikuKomuna e GostivaritKomunikacioniMërgimtarëPortalb Fakt - Premtime parazgjedhoreVetura - Automjet - Automobil