Kampioni botëror i vallëzimit modern Andi Ismaili në OpenMic: Ju zhgënjejnë të gjithë, por asnjëherë nuk ju zhgënjen puna

Në episodin e shtatëmbëdhjetë të OpenMic në Portalb.mk flasim me kampionin botëror të vallëzimit modern, 16 vjeçarin Andi Ismailin nga Gostivari.

Me atë biseduam për vallëzimin modern, fitoret, sfidat, paragjykimet dhe shumë të tjera.

“Ndodhi në mënyrë të natyrshme do thoja, me anë të një familjares time e cila i dërgonte vajzat e saj në një studio në Gostivar, shkova e provova dhe më pëlqeu se ishte diçka unike domethënë nuk ishte diçka e përsëritur, nuk ishte diçka që e kishim parë te një djalë, nuk ishte diçka që e kishim parë më herët dhe vendosa ta provoj”, tha Andi.

Ai tregoi se garat e tij të para botërore ishin në vitin 2018 ku mori vendin e pestë, ndërsa nga viti 2019 e këndej mban titullin e kampionit.

“Unë vij prej një fshati, prej një qyteti të vogël në Maqedoni, edhe në ato gara botërore për herë të parë ta marr vendin e pestë, u gëzova shumë, nuk më lënë aq shumë përshtypje vendet sa më la përshtypje në 2018 mënyra se si njerëzit u ndjenë gjatë performacës time, komentet, fjalët e mira dhe të tjerë, dhe pastaj në 2019 me më shumë punë e fitova vendin e parë dhe prej 2019 e kam mbajtur atë titull që ndjehem shumë krenar”, tha Ismaili.

Ai porositi bashkëmoshatarët e tij që të punojnë sepse puna nuk do t’i zhgënjejë.

“Thjesht të punojnë se ndonjëherë ju zhgënjejnë shoqëria, ju zhgënjen familja ju zhgënjejnë edhe njerëzit më të afërt por asnjëherë nuk ju zhgënjen puna”, porositi Andi.

Për më tepër ndiqeni episodin e plotë.

Barazi gjinoreOpenMicTë rinj - Rini - Rinia