“Sapo kemi emëruar përfaqësuesin e posaçëm për dialog mes Beogradit dhe Prishtinës, Peter Sorensen. Unë do të shoh me të në muajin mars për atë se si do të vazhdojmë me këtë. Është e qartë se normalizimi i raporteve është i nevojshëm për të dyja vendet. Dhe nëse ato mendojnë se mund të lëvizin përpara në rrugëtimin evropian, atëherë unë mendoj se një gjë e tillë nuk është e mundur”, ka thënë Kallas në bisedë me gazetarë të 20 agjencive evropiane të lajmeve, raporton Koha.net.
Duke iu referuar kritikave që janë dëgjuar lidhur me formatin e deritashëm të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, i cili është duke u zhvilluar për 14 vjet në Bruksel me lehtësimin e Bashkimit Evropian, përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka thënë se do ta shqyrtojnë mundësinë bashkë me të dërguarin e ri të posaçëm evropian, Peter Sorensen, se si ta bëjnë procesin funksional.
Kallas ka thënë të enjten se për të ardhmen e dialogut duhet parë edhe se si do të formohet qeveria e re në Kosovë, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
“Sapo kemi emëruar përfaqësuesin e posaçëm për dialog mes Beogradit dhe Prishtinës, Peter Sorensen. Unë do të shoh me të në muajin mars për atë se si do të vazhdojmë me këtë. Është e qartë se normalizimi i raporteve është i nevojshëm për dyja vendet. Dhe nëse ato mendojnë se mund të lëvizin përpara në rrugëtimin evropian, atëherë unë mendoj se një gjë e tillë nuk është e mundur”, ka thënë Kallas në bisedë me gazetarë të 20 agjencive evropiane të lajmeve. “Ndërkohë dëgjojmë kritika rreth këtij formati. Prandaj, unë vërtetë dua të shikoj se si mund ta bëjmë këtë funksional. E kam adresuar këtë edhe me ministrin e jashtëm të Serbisë. Dhe ai më ka thënë se është i gatshëm vërtetë që të investojnë kohë në normalizimin. Dhe po ashtu, natyrisht, sapo kemi pasur zgjedhjet në Kosovë. Të shohim se si do të formohet Qeveria e re dhe në cilën mënyrë do të ecim tutje”, ka theksuar Kallas.
Kosova e Serbia janë angazhuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja që nga viti 2011. Në vitet e fundit, dialogu është zhvilluar në nivel të lartë, mes liderëve të dy vendeve, dhe në nivel kryenegociatorësh.
Gjatë mandatit gati pesëvjeçar të të dërguarit të mëhershëm evropian, Miroslav Lajçakut, në fillim të vitit 2023 Kosova e Serbia kanë arritur Marrëveshje për në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Kjo marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar, është ligjërisht e detyrueshme për palët, kanë thënë në BE tek i kanë akuzuar Kosovën e Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit.
Në të shkuarën, liderë të Kosovës, nisur nga presidentja Vjosa Osmani e deri të kryeministri Albin Kurti, e kanë kritikuar Lajçakun për qasje të pabalancuar në dialog dhe për rreshtim me raste kah Serbia.
Pasardhësi i Lajçakut, Peter Sorensen, një diplomat nga Danimarka, e ka nisur zyrtarisht detyrën më 1 shkurt. Nuk është e qartë se kur Sorenseni mund ta mbajë takimin e parë në kuadër të dialogut, duke qenë se Kosova ka zhvilluar zgjedhje më 9 shkurt dhe pritet që ta formojë Qeverinë e re, ndërsa Serbia përballet me paqartësi politike pas dorëheqjes së kryeministrit shkaku i protestave të studentëve.
Kallas ka thënë më herët se do të presë derisa Kosova ta formojë Qeverinë e re, për të “parë se si të vazhdojmë tutje”.
Sorenseni, për dallim nga pararendësi i tij, do të merret vetëm me dialogun Kosovë-Serbi dhe jo edhe me çështje rajonale të Ballkanit Perëndimor.
Emërimi i Sorensenit është parë si hap pozitiv, duke qenë se 57-vjeçari ka njohuri mbi rajonin. Duke qenë diplomat prej shumë vjetësh, ai ka qenë i angazhuar në Kosovë në kuadër të Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK), si dhe në role tjera në Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinë.
Sipas njohësve të politikës, ai nuk ka nevojë që të informohet paraprakisht për njerëzit apo faktet historike të rajonit, ngase tashmë e ka pasur mundësinë që ta krijojë një pasqyrë nga afër.
Një tjetër argument që është përmendur si pozitiv nga zyrtarët në Prishtinë është se ai është nga Danimarka, një vend që njeh shtetësinë e Kosovës, dhe se do të ketë qasje të barabartë në dialog.
E Kallasi ka përsëritur të enjten se normalizimi i marrëdhënieve fqinjësore është i nevojshëm për Kosovën dhe për Serbinë në ecjen përpara.
“Nëse ato (Kosova dhe Serbia) mendojnë se mund të lëvizin në rrugëtimin evropian pa normalizimin e marrëdhënieve, atëherë unë mendoj se një gjë e tillë nuk është e mundur”, ka theksuar ajo.