Kalbja e kombit nis me përbuzjen e mësuesit dhe shkollës në gjuhën e nënës

Ata që punonin kundër interesit të kombit, ata që vetëdijshëm i shërbenin tjetrit, ata që thëthinin djersën dhe gjakun e popullit, për të siguruar jetë parazitare në kurriz të tij, Faik Konica i quante: zuzarë, hafije, meemurë, zaptiejë, koqe me qelb…

Te ky soj askushësh Gjergj Fishta gjeti: sallahanin, vagabondin, shakllabanin, batakçiun, rriqnat e ndyet, mikrobët e kqi…, që i qenë futur Shqipnisë thellë në gji, pa dhimtë gjakun tuj ia pi…

Pas tyre edhe Ali Asllani nuk mundi të rrijë pa e qerasur me dushe akujsh kabilen e batakçinjëve shqipfolës me Hakërrimën e tij të papërsëritshme të stilit fishtian; pa i sfiduar: çakejtë, dredharakët zemërnxirë, maskarenjtë, e pabrekë të graflluar sa ora në milionerë, shushunjat dhe gjahtarët e errësirave, rob’t e metelikut, dinakët që puthin këmbët e armikut dhe heqin nderin zvarr’, gjynahët që, për interese meskine, i thonë padronit peqe dhe shkojnë e lidhen vullnetarisht në kunjin e tij, pa u vajtur mendja se: vetëm koha mund të jetë e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!
Të kësillojta janë gjithë mallkimet rilindëse drejtuar kapadainjëve të pasuruar me hajni dhe në kurriz të popullit gjithandej ku jeton gjindja jonë; sherrbudallëve që i kanë zët tiparet e racës që Zoti e bëri kësmet për ne, ndaj i luftojnë ato me sistem, nëpërmjet poshtërrimit të vlerave të së shkuarës dhe mohimit të çdogjëje të bukur të së tashmes, nëse na ka mbetur akoma ndonjëfarë virtyti.

Të gjithë këta janë shpirtrobër dhe masha për një përdorim, që zakonisht blihen me një ligjeratë të mbajtur salephaneve nga mjeshtër të dresuar agjenturash, për të cilët kam shkruar, qysh para 30 e sa vitesh, qysh atëherë kur shumëkushi temat e dëmshme për qenësinë tonë i konsideronte të kota. Ishte kjo koha kur u shemb sistemi satrap i monizmit dhe u zëvendësua me një biçim diktature të quajtur demokraci, që vazhdoi qëndrimin rigjid ndaj mëkëmbjes së mirëfilltë kulturore të shqiptarëve, pa të cilën nuk mund të ketë zhvillime të qëndrueshme në asnjë fushë tjetër. Ky mekam, më pastaj u trashëgua si punë stafete edhe nga hafijet shqipfolëse të Konicës, nga shakllabanët e Fishtës dhe maskarenjtë e Ali Asllanit, gjë që dëshmohet më së miri me ekzodin e tmerrshëm të të rinjëve dhe boshatisjen e trojeve të trashëguara dem baba dem nga të parët tanë. Kështu,  në vend se të mbyllen përgjithmonë plagët e vjetra, gjahtarët shpirtshitur të errësirave dhe mohuesit e kushjamit gjetën mënyrat për të ngulur thikat më thellë dhe më dhimbshëm në substancën etnike; u përqendruan në misionin e përçarjeve ndërvëllazërore dhe shpërfilljen me këste të nëndheshme të gjuhës dhe shkollës shqipe, të vetëdijshëm dhe të sigurt se: Kalbja e një etnie nis nga përulja e mësuesit dhe shkollës në gjuhën e nënës…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Fatmir SulejmaniKolumnat e Portalbit