Jess Baily është optimist se vendi do të hyjë në BE: Ndryshimet kushtetuese janë zgjidhja e vetos bullgare

Ish-ambasadori i SHBA-së në Shkup, Jess Baily , thotë se ndryshimet kushtetuese janë zgjidhje e qartë për veton bullgare, por se do të jetë zhgënjim nëse në të ardhmen do të ketë veto të re që do të bllokojë rrugën drejt Bashkimit Evropian. Baily në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase thotë se është optimist se vendi do të hyjë në BE, por se nuk mund të thotë se kur do të ndodhë, transmeton Portalb.mk.

“Bashkimi Evropian voton, por ne nuk jemi anëtare të BE-së. Unë mendoj se SHBA-të do të zhgënjeheshin nëse do të ndodhnin veprime të mëtejshme të kësaj natyre. Por ndërsa kaloni procesin dhe hapni kapitujt, disa vende do të duan të sigurohen që vetë kriteret janë përmbushur, kështu që do të ketë çështje të tjera gjatë rrugës. Dhe kështu mendoj se është e rëndësishme që çdo çështje të mos shihet si një çështje jolegjitime midis shteteve anëtare, sepse kjo është pjesë e procesit. Do të jetë proces i gjatë për të kaluar nëpër disa nga ata kapituj, veçanërisht për sundimin e ligjit. Vendi do të jetë nën mbikëqyrje të madhe, kjo është e qartë, ashtu si Shqipëria dhe të tjerët. Por mendoj se jam optimist. Unë mendoj se njerëzit do ta shohin këtë të ndodhë. Por nuk mund të them se kur”, tha Baily .

Ai thotë se Marrëveshja e Prespës, sikurse edhe amendamentet kushtetuese tani, është kritikuar në fillim, por që askush nuk e konteston më rezultatin pozitiv të saj.

Javën e ardhshme, më 17 qershor, bëhen pesë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës, me të cilën vendi ndryshoi emrin në Maqedoninë e Veriut, ku një vit më vonë u bë anëtare e NATO-s.

“Fatkeqësisht, tani ju keni këtë veton bullgare për ta çuar procesin përpara. Ekziston një zgjidhje e qartë e paraqitur atje. Jo të gjithë e pëlqejnë këtë zgjidhje. Por unë mendoj se pesë vjet nga tani me zbatimin e ndryshimeve kushtetuese, pesë vjet më vonë, njerëzit do ta shohin se është hap pozitiv për vendin. Unë e kuptoj se shumë njerëz janë kundër tij” thotë Baily .

Ish-ambasadori amerikan shton se ndryshimet kushtetuese do të forcojnë pozitën e shtetit dhe problemi i Bullgarisë është se nuk e njeh pakicën maqedonase, pavarësisht vendimeve të Gjykatës së Strasburgut.

“Ata kanë sistemin e tyre. Nuk e kuptoj pse dikush nuk do të njihte një grup në vend. Une nuk e di. Çdo vend ka mënyra të ndryshme për ta bërë atë. Maqedonia e Veriut është një vend shumë përfshirës në këtë drejtim dhe gjithmonë ka qenë, dhe mendoj se amendamenti kushtetues i propozuar tani vetëm e rrit atë, kështu që nëse Bullgaria vendos të mos e bëjë këtë, mirë, ky është problemi i saj,” thotë Baily .

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase. Kujtojmë që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Ambasada e Amerikës (SHBA) në RMVBullgariaEurointegrime Negociata RMV-BEKushtetuta e RMVNdryshime Kushtetuese RMVShtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)
Comments (0)
Add Comment