Izraeli vrau 71 palestinezë të tjerë, numri total kaloi 38.400

Të paktën 71 palestinezë të tjerë janë vrarë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës, duke e rritur numrin e përgjithshëm të vdekjeve në të paktën 38.443 që nga 7 tetori, transmeton Anadolu.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se si pasojë e sulmeve izraelite gjithashtu janë plagosur mbi 88.480 palestinezë të tjerë.

“Forcat izraelite vranë 71 persona dhe plagosën 129 të tjerë në katër masakra kundër familjeve në 24 orët e fundit. Shumë njerëz ende janë të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi shpëtimtarët nuk janë në gjendje t’i arrijnë ata”, theksoi ministria palestineze.

Në njoftimin e ministrisë po ashtu theksohet se “numri i vdekjeve të masakrës së tmerrshme të okupimit në zonën Al-Mawasi në Khan Younis është mbi 71 dhe 289 të tjerë janë plagosur”.

Në një përpjekje për të justifikuar “masakrën” izraelite ndaj palestinezëve, mediat izraelite pretenduan se ushtria izraelite bombardoi zonën Al-Mawasi për të shënjestruar komandantin e përgjithshëm të Brigadave Al-Qassam, Mohammed Deif-in, gjë të cilën Hamasi e mohoi.

Duke shkelur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm, Izraeli është përballur me reagimin ndërkombëtar në mes të ofensivës brutale të vazhdueshme në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit nga Hamasi.

Mbi nëntë muaj pas luftës izraelite, pjesë të gjera të Gazës janë kthyer në gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, vendimi i fundit i së cilës e urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin ushtarak në qytetin jugor Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta përpara se qyteti të pushtohej më 6 maj.

GazaGjenocidIzraeliKrime lufteLuftëPalestina