Izraeli refuzoi thirrjet e SHBA-së për armëpushim

Izraeli ka refuzuar propozimet për armëpushim me Hezbollahun – grupin libanez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – nga aleatët, përfshirë nga Uashingtoni, të cilët kanë kërkuar ndalim të luftimeve për tri javë, në mënyrë që të mundohet të gjendet një zgjidhje diplomatike për të shmangur zgjerimin e luftës, raporton Radio Evropa e Lirë.

“Nuk do të ketë armëpushim në veri”, shkroi në X ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz. “Ne do të vazhdojmë luftën kundër organizatës terroriste Hezbollah me gjithë fuqinë tonë deri në fitore dhe kthimin e sigurt të banorëve veriorë në shtëpitë e tyre”.

Këto deklarata shuajnë shpresat për një zgjidhje të shpejtë, pasi kryeministri i Libanit, Najib Mikati, shprehu optimizëm se një armëpushim mund të arrihet shpejt në Liban, ku qindra mijëra njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të dhunës.

Liderët botërorë kanë shprehur shqetësim se konflikti – së bashku me luftën e Izraelit në Gazë kundër grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, Hamas – mund të përshkallëzohet shpejt.

Luftimet më të ashpra në pothuajse dy dekada mes Izraelit dhe Hezbollahut, që mbështetet nga Irani, kanë rritur frikën se Izraeli mund të kryejë një ofensivë tokësore në Liban.

SHBA-ja, Franca dhe disa aleatë të tjerë kanë bërë thirrje për një armëpushim 21-ditor përgjatë kufirit Izrael-Liban. Ata po ashtu mbështetën një armëpushim në Gazë.

Izraeli ka nisur sulmet më të ashpra ajrore kundër Libanit që nga lufta e vitit 2006 dhe që nga java e kaluar janë vrarë më shumë se 600 persona.

Hezbollahu po ashtu ka gjuajtur qindra raketa në Izrael dhe për herë të parë ka gjuajtur një raketë në Tel Aviv, edhe pse Izraeli tha se raketa shkaktoi dëme të vogla.

Një ditë më herët, shefi i ushtrisë izraelite përmendi mundësinë e një ofensive tokësore në Liban, teksa iu tha trupave izraelite që të bëhen gati.

Tensionet mes Izraelit dhe Hezbollahut janë të larta që 11 muaj, që kur ka nisur lufta në Gazë. Që atëherë, palët kanë këmbyer zjarr në kufi pothuajse në baza ditore.

ArmëpushimBenjamin Netanjahu (Netanyahu)GazaIzraeliKrime lufteLuftëPalestinaShtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)