Izraeli do të vendosë se cilat trupa ndërkombëtare do të vendosen në Gaza

Izraeli do të përcaktojë vetë se cilat shtete mund të marrin pjesë për vendosjen e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare të planifikuar për Rripin e Gazës, transmeton Euronews.

Vendosja e trupave paqeruajtëse është pjesë e planit të presidentit të SHBA-së Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës.

“Ne kemi kontroll mbi sigurinë tonë dhe gjithashtu e kemi bërë të qartë që dhe në lidhje me forcat ndërkombëtare, Izraeli do të përcaktojë se cilat forca janë të papranueshme për ne”, tha kryeministri Benjamin Netanyahu në një mbledhje të kabinetit të hënën.

Qeveria amerikane e ka përjashtuar tashmë dërgimin e trupave të saj në Rripin e Gazës dhe u ka bërë thirrje shteteve arabe dhe atyre myslimane të kontribuojnë me fonde dhe trupa. Trupa paqeruajtëse mund të përfshijë ushtarë nga Egjipti, Indonezia dhe shtetet arabe të Gjirit Persik. Megjithatë mbetet e paqartë nëse këto apo shtete të tjera do të marrin vërtet pjesë.

Ministri i Jashtëm i SHBA-së, Marco Rubio, deklaroi gjatë një vizite në Izrael se trupa ndërkombëtare duhet të përbëhet nga “vende me të cilat Izraeli është dakord”. Puna për të organizuar një forcë të tillë është ende duke u zhvilluar.

Rubio nuk pranoi të komentojë se me cilat vende mund të mos jetë dakord Izraeli. Netanjahu deklaroi të hënën se nuk do të lejonte forcat turke të sigurisë, të vendoseshin për sigurinë e Gazas.

Ndërkohë, Turqia e ka akuzuar vazhdimisht Izraelin për gjenocid, gjë që Izraeli e mohon.

GazaGjenocidIzraeliPalestinaShtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)