Ish-presidenti iranian Mahmoud Ahmadinejad është vrarë në një sulm ajror izraelit , njoftuan mediat iraniane, raporton ABC.
Mahmoud Ahmadinejad, i cili shërbeu si president i Iranit nga viti 2005 deri në vitin 2013, u vra gjatë operacionit amerikano-izraelit në shtëpinë e tij në zonën Narmak në verilindje të Teheranit.
Një sulm izraelit vrau atë dhe disa nga truprojat e tij, sipas mediave iraniane pro-qeveritare.
Ministria e Jashtme iraniane, në deklaratën e saj lidhur me vdekjen e Liderit Suprem të Iranit, Ali Khamenei, ka dënuar edhe një herë sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit gjatë bisedimeve diplomatike midis Teheranit dhe Uashingtonit mbi programin bërthamor të Iranit.
Sulmet e fundit ndodhën ndërsa Omani po ndërmjetësonte bisedimet midis Uashingtonit dhe Teheranit, me raundin e fundit të negociatave të mbajtura në Gjenevë më 26 shkurt.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha gjithashtu në një deklaratë se rruga e Khameneit “do të vazhdojë”.
Si është situata në vendet e Gjirit?
Bahrein: Sistemet ajrore për mbrojtje në Bahrein i kanë kapur me sukses dhe i kanë shkatërruar raketat balistike dhe dronët iranianë, ka raportuar media shtetërore. Zyrtarët u kanë thënë agjencive të lajmeve në Bahrein që “copëza të kufizuara” të raketave kanë rënë nëpër tokë.
Kuvajt: Media shtetërore në Kuvajt ka raportuar se mbrojtja ajrore i ka parandaluar “një mori sulmesh ajrore armiqësore” të dielën në mëngjes. Ministria e Mbrojtjes në këtë shtet ka thënë se raketat janë kapur në jug të shtetit dhe nuk ka raportime për viktima.
Katar: Ministria e Mbrojtjes e Katarit ka thënë se aeroplanët luftarakë dhe sistemet ajrore për mbrojtje i kanë rrëzuar dronët dhe raketat e nisura nga Irani.
Emiratet e Bashkuara: Një grua dhe një fëmijë janë përballur me dëme minore nga copëzat e një droni të kapur që është rrëzuar në fasadën e një ndërtese në kullat Etihad, sipas autoriteteve në Emirate.
Putin ngushëllon Iranin për vrasjen e Khameneit
Presidenti rus, Vladimir Putin ka shprehur ngushëllime për vdekjen e liderit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khameneit, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve në Rusi, TASS.
Ai e ka përshkruar vdekjen e Khameneit si “vrasje cinike që i ka shkelur të gjitha normat e moralit njerëzor dhe ligjit ndërkombëtar”.
Rusia është aleate e Iranit. Vitin e kaluar, dy shtetet janë pajtuar për të përforcuar bashkëpunimin ushtarak dhe kanë nënshkruar traktat 20-vjeçar “të partneritetit strategjik”.