Ish e burgosura Teuta Bekteshi Ajeti: Burgu gjithmonë mund të durohet nga dikush që e ka kuptuar saktësisht ekzistencën

Teuta Bekteshi Ajeti ka qenë kryetare e Lidhjes së Gruas në degën e Kumanovës me ç ‘rast është angazhuar që gratë të fitojnë të drejta në emancipimin dhe pavarësim ekonomik duke u bërë dhe një shembull i mirë për ta. Për Portalb.mk sjellim profilin e saj dhe të shkuarën që do t’i bëhej pengesë më vonë në jetë, në çështjet profesionale, por kjo nuk do ta zmbraps, përkundrazi do t’ia shtoj kurajën për t’ia dalë si është më së miri, pa u ankuar dhe pa kërkuar asnjë shërbim nga askush, sidomos nga politika.

Teuta Bekteshi Ajeti lind më 16 nëntor të 1957 në Kumanovë. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, shkollën e mesme në gjimnazin, “Goce Dellçev” të Kumanovës ku mësimi ka qenë krejtësisht në gjuhën maqedonase, përveç historisë edhe gjuhës shqipe.

Është anëtare e shoqatës së mjekëve shqiptarë në RMV. Fakultetin e ka kryer në Universitetin e Prishtinës, mirëpo për shkak të aktivitetit të saj politik e përfshirë në demonstratat studentore dhe në Lëvizjen Ilegale të asaj kohe si pasojë u përndoq dhe ra në burg. Që nga ‘97-ta, udhëheq ordinancën “Doktor Teuta”, pasi mundësia për të punuar në shëndetësinë publike ka qenë e pamundur për shkak të shkuarës së saj e përfshirë në aktivitetin e saj politikë në proceset si pararojë e pavarësisë së Kosovës. Teuta Bekteshi ka status si irredentiste dhe konsiderohet si e rrezikshme për shtetin. Deri vonë i është mohuar edhe nënshtetësia e shtetit ku përket.

Fotografi personale nga Teuta Bekteshi Ajeti

Rrjedh nga një familje arsimdashëse, babai i saj ka qenë mësues dhe kjo ka qenë në favor për shkollimin e saj në kohën kur pak vajzave u lejohej kjo.

Ka qenë kryetare e Lidhjes së Gruas për Kumanovë me ç ‘rast është angazhuar që gratë të fitojnë të drejta në emancipim dhe pavarësim ekonomik duke u bërë dhe një shembull i mirë për ta. Është anëtare e shoqatës së mjekëve shqiptarë në Maqedoni. Po ashtu anëtare dhe themeluese e rrjetit multietnik të organizatave joqeveritare “ANTICO” në RMV. Anëtare dhe themeluese rrjetit multietnik e Qendrës së Gruas në Kumanovë. Është pjesëmarrëse në shumë konferenca shkencore; Konferenca ndërkombëtare për përforcimin politik të gruas – Poreç, Kroaci 2002, Konferenca “Women can do it” në Beograd, Serbi 2002, pjesëmarrëse e kuvendit të tretë të grave të shquara të kombit, qershor 2003, Shkup, Maqedoni.

Ka qenë e përfshirë në grupet ilegale për hartimin, shkrimin dhe shpërndarjen e trakteve që si rrjedhojë sollën pavarësimin e Kosovës dhe pjesëmarrjen në demonstratat e 11 Marsit 1981, Demonstratat të 26 Marsit 1981 dhe 1 e 2 Prill 1981. Në burg ra dy herë:

  • E burgosur politike, me 2 vite burg, prej 26 tetor 1982 deri më 26 tetor 1984.
  • E burgosur politike, me 1 vit burg, prej 9 nëntor 1984 deri më 9 nëntor 1985.

Organizuese dhe pjesëmarrëse në pajtimin e gjaqeve në Kumanovë dhe rrethinë.

Ka organizuar konferencës shkencore “Veprimtaria e Gruas në Lëvizjen Kombëtare për Çlirim (ku ishin pjesëmarrëse mbi 420 gra aktiviste të lëvizjes nga të gjitha trojet shqiptare). Është organizatore e Tribunës – “Gruaja, zë rezistues i ilegales dhe luftës për liri”. Organizatore e manifestimit për 40 vjetorin e demonstratave të vitit 1981, Kumanovë, Gusht 2021. Ka paraqitur kumtesë në Simpoziumin “Pranvera e Madhe Shqiptare – 40 Vjet nga Demonstratat e Vitit 1981”

Ka marrë medalje presidenciale për kontribut dhe veprimtari kombëtare nga zyra e presidentit të Republikës së Kosovës dhe shumë mirënjohje për aktivitetet e saj të guximshme.

Shënime nga burgu të botuara për herë të pare për Portalb.mk

Burgu i Mitrovicës

Një nga ditët e hetimeve:

Gardiania më mori nga qelia numër 6-të dhe më dërgoi në njërën nga dhomat e hetimeve. Përballë meje kam dy inspektorë, njeri mashkull që nuk ia di emrin dhe një femër e quajtur Zyra që më kishte marrë në pyetje edhe në arrestimin e parë. Procedura filloi me pyetje mbi veprimtarinë e lëvizjes, shokët, shoqet. Vazhduan me kërcënime, sharje dhe dhunë fizike që përfshinë shpulla fytyrës, kërbaç në duar dhe në të gjitha pjesët e trupit. Kam zgjedhur heshtjen që i tërbon edhe më shumë. Koka më shkon sa andej sa këndej nga goditja e shpullave, kërbaçi kërcet në duar, në trup dhe shputat e këmbëve sa që nuk i ndjej më. Heshtja ime aq shumë i tërboi sa që inspektoria mu vërsul me kërbaç kokës me sa forcë që kishte, por unë e kapa për kërbaçi sa që po të dytë u vërsulën mbi mua dhe më rrëzuan përtokë dhe vazhduan të më mëshojnë pa zgjedhur në trupin tim. Për një moment bërtita me sa forcë që kisha KRIMINELË. Ndjej që dera hapet me forcë dhe turbull vërej një njeri, më kapën me forcë po të dy si një lodër dhe më përplasën për murin përballë, ndjej djegie në fytyrë dhe gjaku më rrjedh, vazhdojnë të më terrorizojnë por vazhdon dhe heshtja ime. Dëgjoj zërin tim të brendshëm, ndërgjegjen time, bindjen në veprimin e drejtë dhe në qëllimin, nuk ndalem, nuk thyem kurrë “Burgu gjithmonë mund të durohet nga dikush që e ka kuptuar saktësisht ekzistencën” – cituar nga Seneka.

Fotografi personale nga Teuta Bekteshi Ajeti

Një natë e tmerrshme në stacionin policor në Suharekë

Jemi arrestuar sot pasdite unë dhe Shemsije Elshani prej shtëpisë së një shoqes sonë. Arrestimi pasoi pas aksionit të përgatitur me Shemsije Elshanin. Panoja 8 metërshe e kuqe e shkruar me shkronjat e zeza ‘KOSOVA REPUBLIKË, JA VDEKJE JA LIRI” në ora 12 të ditës, ditë tregu në sheshin e stërmbushur me njerëz në Suharekë, në ndërtesën e vetme 5 katëshe e vendosëm panonë. Aksioni u krye me sukses. Na dërguan në stacionin policor në Suharekë në një dhome të hetuesisë ku u terrorizuam dhe u torturuam shumë keq. Pos shpullave, kërbaçit, nuk munguan as shqelmat që gati më hodhën nga shkallët poshtë nga kati i dytë. Orë të tëra u torturova por nuk nxorën gjë nga ato që kërkonin .Kur u lodhën duke më rrahur të tërbuar nga qëndrimi im, më përplasën me forcë në një qeli të vogël tmerri. Qelia nuk ka dritë, nuk ka ajër të bollshëm, kundërmon erë e keqe nga urinimi. Qëndroj në këmbë dhe nuk mund të ulem, ndjej dheun poshtë këmbëve dhe po mundohem të kuptoj se ku po shkelë. Polici hapi derën dhe drita depërtoi brenda nga korridori, shikoj muret, të pista me gjak, ndonjë emër i shkruar, një tavan i ulët që e prekë me kokë, poshtë një batanije e pistë me urinë dhe fekale. Polici futi një pjatë me copë bukë dhe copë djathi, dera u mbyll me forcë. Diçka lëviz, ndjej një zhurmë të lehtë, sigurisht është një mijë apo shumë sosh, nuk shihja, nuk kam frikë por aq shumë neveritem sa më vjen për të vjellë, megjithatë shoqëria e minjve në këtë skëterrë nuk më lenë vetëm. Nuk mund të qëndroj më në këmbë, e lodhur, rraskapitur nga torturat po mundohem të mbledh veten, qepallat më bien por nuk guxoj të fle, po mundohem të rrijë zgjuar, presë të më marrin përsëri në pyetje.

Fotografi personale nga Teuta Bekteshi Ajeti

Burgu i Mitrovicës, qelia numër katër:

Qe disa ditë nuk po na i sjellin shtypin, jam e revoltuar dhe jam e sigurt që diçka e keqe ka ndodhur. Jam në dhome me Have Shalën dhe duhet të ndërmarrim diçka. Vendosëm të shpallim grevën e urisë. Është pasdite, dëgjojmë zhurmën dhe vringëllimën e çelësave që hapin dyert e hekurta të pavijonit tonë. Hapat u ndalën tek qelia jonë dhe dera u hap me forcë. Në derë drejtori i burgut monstrumi Sherafedin Ajeti dhe gardiania. I hallakatur na tha: keni hapur grevë urie, PSE? Hava nisi të flasë por drejtori me shqelma e qiti jashtë dhomës. Na morën por të dyjave dhe na dërguan në banjë ngjitur me dhomën tonë, jemi zbathur dhe banja është e lagësht dhe bënë shumë ftoftë. Këmbët na u lagën dhe po na mërdhinë, më morën mua të parën dhe me gjithë presionin për të ndërprerë grevën nuk lëshuam pe. Pas meje morën Havën. por edhe ajo nuk pranoi, do të vazhdojmë grevën. Më nxorën nga banjoja dhe isha e sigurt që po më dërgojnë në vetmi. Burgu i Mitrovicës është i llahtarshëm, një labirint i konstruktuar në formë rrethi, nuk kam orientim në cilën pjesë jam por e sigurt që në katin e dytë. U ndalëm, u hap dera e hekurt dhe më përplasën brenda, u mbyll dera me forcë. Qeli e vetmisë, shikoj poshtë çimento, në mes një zinxhirë me pranga i përlyer, përballë meje lartë një dritare e vogël, e hapur me grila. Po mundohem të përqendrohem, të mblidhem dhe të aktivizoj mekanizmin mbrojtës tek vetja ime, po lëviz sa në një anë e sa tjetrën, por është shumë ngushtë. Çelësat kërcitën dhe dera u hap, dil tha gardiania. Ngjitur me vetminë e qelisë ishte tualeti, nuk kisha nevojë, se nuk kisha ngrënë e as pirë, më kthyen përsëri në vetmi dhe papritmas dëgjoj një zë që këndon, zëri vjen nga larg, nga ana tjetër e burgut “Ç’po i bjen era more retë e zeza”. Hava po ia thotë këngës dhe u gëzova shumë, ne nuk jemi vetëm, por zëri u ndal, e ndalën. Koha po rrjedh shumë ngadalë, ka ra nata. Në dhomë nuk ka dritë. E mbledhur kruspull mundohem të mbledhë mendimet, herë kotem, herë ngrihem dhe lëviz në këtë dhomë të ngushtë. Po zbardhë, dëgjoj zhurmë, nga lartë një pikim të ujit, sigurisht vjen nga shëtitorja nga njëra nga shëtitoret e burgut ku ka qeshmë. Koha po rrjedh ngadalë, shumë ngadalë. Ra përsëri terri, jam shumë e lodhur, e strukur në një qoshe dhe kam shumë të ftoftë, nuk kam uri por kam shumë etje por ujë nuk kam, më është tharë fyti, më është ngjitur dhe nuk po mundem të përbihem, ohhh dua vetëm pak ujë. E kotur vazhdimisht dëgjoj pikimin e ujit që vjen nga lart, numëroj 1, 2, 3 dhe ëndërroj ujin. Sa shumë vështirë pa ujë, këtë nuk e kam provuar më parë, asgjë nuk është uria por etja të detyron të flasësh përçartë, por unë do ta tejkaloj edhe këtë.

RIKTHIM….!!!

Fotografi personale nga Teuta Bekteshi Ajeti

Jeta nën fëshfërimën e fletëve të një plepi të njomë jashtë mureve të burgut

Pranvera është një nga stinët që më së shumti i dua, në çdo pranverë më ri zgjohet dashuria për njeriun, natyrën, jetën. Qelia numër 4 e pavijoni të femrave në burgun e Mitrovicës. Një dhomë e vogël 3me2 me 6 kravate të hekurt, nga dy, një përmbi, një anash dhe dy një përmbi një përballë. Në mes të krevateve në hapësirë e ngushtë kur rrimë ulur gjatë ditës, një qoshe një kantë plastike për kryerjen e nevojave fiziologjike, para meje një derë e hekurt me një vrimë në mes që quhet ‘shpijunkë’ që gardianët nga jashtë e hapin kur na kontrollojnë se çfarë bëjmë dhe e mbyllim. Mbi derë lartë në tavane janë grilat e hekurta, të vetmet nga ku depërton pak dritë dhe ajër i papastër nga korridori tjetër i kufizuar me një mur tjetër të lartë ku edhe lartë po ashtu ka të vendosura grilat e hekurta, të vetmet për të depërtuar drita dhe ajri na jashtë. Prapa këtij muri të jashtëm, përballë qelisë time vërehet gjysma e sipërme e një plepi të njomë që një pranverë është përplot fletë, gjethe me një ngjyrë të gjelbër që fëshfërinë aq lehtë dhe më mbushin shpirtin plotë jetë. Kur jam e sigurt që gardianet janë brenda në byro apo kanë dalë nga pavijoni për të dërguar ndonjë të burgosur në pyetje apo për të sjellë ndonjë të burgosur të re, hipi në derën e hekurt dhe sodisë, dëgjoj, ndjej gjithë magjinë e ‘vallëzimit’ të fletëve, kënaqem dhe i gëzohem jetës që ka kuptim dhe qëllim. Është LIRIA E SHPIRTIT TIM.

Barazi gjinoreGra të suksesshmeKulturë lajme