Investimet e ulëta kapitale e bëjnë pagën minimale më të ulët në rajon

Me pagë minimale e cila për momentin është 367 euro, Maqedonia e Veriut vazhdon të jetë në mesin e vendeve me të ardhurat minimale më të ulëta në Evropë. Sipas ekspertëve të ekonomisë arsyet kryesore për këtë janë zbatimi i ngadaltë i projekteve infrastrukturore dhe kapitale, si dhe tërheqja e investimeve të huaja, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) këto ditë ka kërkuar që Qeveria ta rrisë pagën minimale në 450 euro në 100 ditët e para të saj, duke theksuar se ajo është më e ulëta në rajon dhe shumë e vogël për të mundësuar një jetë dinjitoze për punëtorët.

Edhe pse nga komuniteti i biznesit thanë se nuk do mund ta përballonin një rritje të tillë, ndërsa nga Qeveria thanë se ishin të gatshëm për bisedime, sipas ekspertëve të ekonomisë me të cilët biseduam kërkesat e sindikatave janë legjitime dhe rritja është sidomos e rëndësishme për ta ngadalësuar largimin e shpejtë të të rinjve.

Investime kapitale për rritje ekonomike dhe paga më të larta

Analisti ekonomik Arben Halili thotë se arsyet kryesore se pse Maqedonia e Veriut ka paga minimale më të ulëta krahasuar me rajonin, është se vendi ka mbetur prapa në tërheqjen e investimeve të huaja, por edhe në realizimin e investimeve kapitale.

“Në Mal të Zi dhe Shqipëri vetëm në javët e fundit janë lëshuar në përdorim disa projekte kyçe infrastrukturore që do të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e të gjithë ekonomisë. Infrastruktura rrugore po zhvillohet, ndërsa në të njëjtën kohë në ato projekte janë të angazhuara shumë kompani. Kjo ka një ndikim të madh në turizmin dhe në sektorë të tjerë”, thotë Halili.

Nga LSM thonë se rritja e pagës minimale duhet ta mbrojë kategorinë më të cenueshme të qytetarëve, ndërsa gjithashtu theksojnë se duhet ta parandalojë largimin e fuqisë punëtore në vendet e rajonit.

Nga atje theksojnë se paga minimale në Mal të Zi është 450 euro, Serbi 423 euro, Bosnjë dhe Hercegovinë 450 euro, Kroaci 840 euro (bruto), Slloveni 1.253 euro (bruto), ndërsa në Shqipëri 385 euro.

“Përkujtojmë se paga minimale në Maqedoni është 22.567 denarë (367 euro) dhe vazhdon të jetë më e ulëta në rajon”, thonë nga LSM. Thirrjeve të sindikatave Qeveria iu përgjigj se është e gatshme për të biseduar për rritjen e pagave, por që për momentin ka mungesë parash në buxhet.

Shpenzimet për jetesë janë të larta, 450 euro janë pak

Por edhe analisti ekonomik Branimir Jovanoviq mendon se paga minimale “absolutisht duhet të rritet”. Ai shton edhe se krahas rritjeve të këtyre disa viteve të fundit, paga minimale në vend vazhdon të jetë e ulët.

“Në maj, shporta konsumatore ishte pak më shumë se 60 mijë denarë, që do të thotë se paga minimale është vetëm 38 përqind e vlerës së saj, që thjesht është shumë e ulët. Paga minimale duhet të jetë së paku 50 përqind e vlerës së shportës konsumatore. Nuk është e thënë të ngrihet menjëherë në atë nivel, kjo gjë mund të bëhet brenda një ose dy vitesh, por qëllimi duhet të jetë ky. Pra, do kisha thënë se kërkesa e sindikatave për pagë minimale prej 450 euro është madje e ulët dhe se duhet kërkuar më shumë”, thotë Jovanoviq.

Ai shpjegon se Serbia dhe Mali i Zi kanë paga më të larta sepse janë më të zhvilluara dhe kanë një Prodhim Vendor Bruto më të lartë për banor, edhe pse beson se në thelb në rajon nuk ka dallime të mëdha.

“Pagat janë të ulëta kudo, si mesataret ashtu edhe minimalet, ndërsa varfëria është e madhe,” thotë Jovanoviq.

Të dhënat e Bankës Botërore të viteve të fundit tregojnë se në vendin tonë ende ka me mijëra njerëz që jetojnë në varfëri.

Në Studim thuhet se viti 2023 ka përfunduar me 86.405 njerëz që jetojnë në varfëri ekstreme dhe 519.452 mesatarisht të varfër. Skenari më i favorshëm për të njëjtin vit parashikonte se do të kishte 70.084 njerëz jashtëzakonisht të varfër dhe 439.022 njerëz mesatarisht të varfër.

Buxheti në gjendje të keqe

Lidhur me këtë sindikatat thonë se pagat e punëtorëve po rriten me një ritëm të ngadaltë, të papërshtatur me inflacionin, për dallim nga zyrtarët që siguruan një pagë për 78 përqind më të madhe dhe të pamerituar.

Kryeministri Hristijan Mickoski thirrjeve të sindikatave iu përgjigj se është i gatshëm të bisedojë për rritjen e pagës minimale, por theksoi se buxheti është në gjendje të keqe.

“Për pagesën e rregullt të pensioneve mungojnë 2,5 miliardë denarë përveç kësaj që paraqet një rritje shtesë që e kemi paralajmëruar dhe premtuar, atëherë mund ta kuptoni për çfarë bëhet fjalë”, tha Mickoski.

Me rritjen e inflacionit në dy-tri vitet e fundit, shporta minimale e konsumit për një familje katër anëtarëshe ka arritur në mbi 60 mijë denarë, që do të thotë se dy punëtorë me pagë minimale nuk mund t’i mbulojnë shpenzimet mujore.

Rritja do të jetë problem për kompanitë e vogla

Por nga komuniteti i biznesit thonë se nëse ka rritje në bisedime duhet të përfshihen të gjithë sepse, siç thonë ata, biznese të caktuara mund ta përballojnë një rritje të tillë, por ka edhe kompani për të cilat një gjë e tillë do të jetë problem.

“Ne kujdesemi për mikro kompanitë dhe kompanitë e vogla të cilat realisht nuk mund ta përballojnë ndryshimin e shpeshtë të pagës minimale. Kjo është problem sidomos gjatë një volumi të reduktuar të biznesit, kërkesës të reduktuar për punëtorë ose reduktimit të produktivitetit. Të gjithë e dimë se paga minimale ndryshon në muajin mars dhe imagjinoni tani nëse rritet edhe për 10-15 përqind, për shembull në shtator apo tetor”, thotë Mile Boshkov nga Konfederata e Biznesit të Maqedonisë.

Mirëpo, Jovanoviq thotë se buxheti me siguri mund ta përballojë një rritje, e cila nuk do ta dëmtojë por, sipas tij, do të jetë e mirë për të, sepse rritja do të rrisë të ardhurat nga tatimi i të ardhurave personale, por edhe nga TVSH-ja sepse njerëzit do të shpenzojnë më shumë. Ai është i bindur se edhe kompanitë mund ta përballojnë pa hezitim një pagë minimale më të lartë, duke theksuar se fitimet e tyre do të ulen pak, por nuk do të zbresin në zero, duke qenë se vetëm rritje në dy vitet e fundit i kanë pasur më të larta për shkak të inflacionit të lartë.

Ekspertët, sindikatat, Qeveria dhe punëdhënësit shpalosin argumentet për rritjen e pagës minimale: nga njëra anë, theksohet nevoja që njerëzit që marrin pagë minimale të marrin një rritje me të cilën do mund t’i përballojnë shpenzimet reale të jetesës dhe inflacionin, ndërsa qeveria dhe punëdhënësit shprehin shqetësimin e tyre për realizueshmërinë financiare.

Por, një gjë është e qartë, që të rriten pagat në Maqedoninë e Veriut duhet të krijohen kushtet për rritje ekonomike, e cila do të sjellë përfitime të dukshme për të gjithë qytetarët.

Ekonomia e shtetit - Lajme ekonomiHristijan Mickoski HristianInvestime në Maqedoninë e VeriutPaga - RrogaQeveria e Maqedonisë së Veriut