Ilir Kurtishi: RMV-ja paraqet djep të arkeologjisë botërore, rajoni i Pollogut është pothuajse i pa hulumtuar

Territori i Maqedonisë së Veriut paraqet një djep të arkeologjisë botërore duke u nisur nga periudha e Neolitit e deri në Antikën e vonshme, kështu tha për Portalb.mk arkeologu nga Tetova Ilir Kurtishi. Ai shtoi se përskaj Shqipërisë, Greqisë, Kosovës edhe Maqedonia e Veriut paraqet një ndër vendet që ka një potencial të lartë Arkeologjikë. Kurtishi bëri të ditur gjurmimet të cilat i ka realizuar, vështirësitë e këtij procesi, sa është ruajtur dhe dëmtuar kjo pjesë.

Portalb.mk: Ilir na tregoni se çfarë ju shtyu të merreni me arkeologji, një profesion jo shumë i zhvilluar në vendin tonë?

Ilir Kurtishi: Ajo që më shtyu të merrem me arkeologji ishte pasioni që kisha ndaj të kaluarës, më ka mahnitur gjithmonë skulpturat e periudhës Helene, piramidat egjiptiane, kultura ilire që njëherit është edhe gjeneza jonë pasardhës të së cilit popull jemi edhe ne. Jo rastësisht edhe emrin e kam të tillë. Ndërsa, për atë se nuk është shumë i zhvilluar në vendin tonë, pjesërisht pajtohem. Territori i Maqedonisë Veriore paraqet një djep të arkeologjisë botërore duke u nisur nga periudha e Neolitit e deri në Antikën e vonshme.

Foto nga Kalaja e Gjenovicës – Gostivar. Foto: Ilir Kurtishi

Portalb.mk: Çfarë gjurmime keni realizuar deri më tani dhe cilat janë rezultatet e deri tanishme? 

Ilir Kurtishi: Që në kohën kur kam qenë student më së tepërmi jam fokusuar në njohjen e lokaliteteve arkeologjike në rajonin e Pollogut. Rajoni i Pollogut është pothuajse i pa hulumtuar. Nëse nisemi nga fakti se çdo vendbanim ka nga një kështjellë antike, janë edhe qytet edhe varreza pothuajse të pahulmtuara. Mirëpo, qëllimi ka qenë që gjitha këto të evidentohen dhe të futën në kartën arkeologjike të Maqedonisë. Këtë e kemi bërë me “Qendrën për Hulumtime Arkeologjike” organizatë universitare e udhëhequr nga Prof.dr. Viktor Lilcic-Adamsen. Nga viti 2005 deri 2009 kam punuar në “Drejtorinë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore”, dhe kam qenë shqiptari i parë në atë institucion. Aty kam qenë i angazhuar si inspektor për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Qe do të thotë, kam bërë mbikëqyrjen e e institucione të cilat kanë kryer gërmime arkeologjike dhe përkujdesjen e objekteve të cilat kanë statusin e mbrojtjes ligjore.

Në periudha të ndryshme kam qenë pjesë aktive në gërmimet arkeologjike në Kalanë e Shkupit. Gjithashtu kam qenë e pjesë e ekipit arkeologjikë në Kalanë e Tetovës. Ku bashkë me arkeolog nga Shqipëria dhe Kosova kemi përfunduar hulumtimet. Gjithashtu kam marrë pjesë në tre ekspedita arkeologjike të udhëhequra nga Qendra Nacionale për Konservim edhe atë në Kumanovë dhe në dy lokacione të ndryshme në Kavadar. Së fundmi kam qenë pjesë e arkeologëve në Kalanë e Ravenit dhe Xhenovicës në Gostivar. Hulumtime këto të organizuara nga Qendra Konservuese Gostivar.

Varreza të tipit “kremacion” në Kavadar. Foto: Ilir Kurtishi

Portalb.mk: Sa është i vështirë procesi i gjurmimit? 

Ilir Kurtishi: Zakonisht lokalitet janë në vende malore dhe qasja deri tek ato vende është shumë e vështirë. D.m.th. që të merresh me arkeologji duhet edhe fizikisht të jesh i përgatitur. Sigurisht se gjatë gërmimeve ballafaqohemi me situata të ndryshme, ku qasja e kryerjes se punëve fizike është e pashmangshme. Kështu në formë të përgjithshme i përshkruajta disa vështirësi direkte. Ndërsa, vështirësitë më të mëdha janë mos interesimi i mjaftueshëm i institucioneve përkatëse e kam fjalën për një mbështetje më të madhe financiare dhe një qasje në kontunitet për promovimin dhe rruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Portalb.mk: Sa e pasur është Maqedonia e Veriut nga ana arkeologjike?

Ilir Kurtishi: Edhe më lartë e përmenda, përskaj Shqipërisë, Greqisë, Kosovës edhe Maqedonia paraqet një ndër vendet që ka një potencial të lartë Arkeologjikë. Një pjesë e saj është e zbuluar, ndërsa një pjesë më e madhe akoma jo. D.m.th. ka potencial të madh. Vlen të përmendet se akoma s’është gjetur dhe hulumtuar qyteti antik i Uskanës. Draudacumi në Gradec është në zhdukje për shkak të neglizhencës institucionale. Sidomos pjesa veriperëndimore e Maqedonisë është pothuajse e paprekur. Edhe pse, ekzistojnë mbetje arkeologjike në çdo vendbanim.

Portalb.mk: Sa është dëmtuar kjo pasuri nga pakujdesia, e njerëzve apo e shtetit? 

Ilir Kurtishi: Tani, trashëgimia kulturore është e mbrojtur me ligjet përkatëse të shtetit. Për mbrojtjen e së njëjtës ekzistojnë edhe institucionet përkatëse pranë Ministrisë së Kulturës. Duke u nisur nga Muzetë qendrat Konservuese e deri tek drejtoria për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Mirëpo, edhe përskaj ligjeve dhe institucioneve kulturore për mua “dëmtim” paraqet vet neglizhenca ndaj lokaliteteve. E përmenda më lart Draudacumin në Gradec të Gostivarit. Nga neglizhenca është në zhdukje totale. Mozaikët pothuajse janë zhdukur krejt. Paramendoni sa qytet i zhvilluar ka qenë asokohe. Ndërsa ne sot s’jemi në gjendje të ruajmë dhe promovojmë ketë qytet antik që paraqet një dëshmi të zhvillimit teknologjik dhe artistik të kohës antike.

Vendbanim parahistorik në Kavadar. Foto: Ilir Kurtishi

Portalb.mk: Sa shteti jonë përkujdeset për gjetjet arkeologjike dhe i trajton siç duhet?

Ilir Kurtishi: Unë kam edhe një përvojë institucionale. Një periudhë kam drejtuar Galerinë e Arteve Tetovë. Mendoj se duhet të ketë një qasje më të avancuar. Edhe atë, si në aspektin financiar po ashtu edhe në atë të mbrojtjes institucionale. Pse e them këtë! Ekspeditat arkeologjike janë të kushtueshme. Janë forma që kërkojnë kohë dhe në formë sistematike të rrjedhin. Thjesht nëse nuk ndan mjete për hulumtime sistematike nuk ke sukses. Andaj, mendoj se duhet më tepër mjete te destinohen për lokalitete më te rëndësishme. Sesa të lëshohen më mjete për më tepër lokalitete. Për shkak se fitohet në kuantitet dhe jo në cilësi Ngecin gërmimet sistemore apo lokalitetet me rëndësi më të madhe.

Portalb.mk: Sipas jush, cili është zbulimi më i madh arkeologjik në trevat tona që na vë përkrah qytetërimeve më të vjetra në botë? 

Ilir Kurtishi: Maqedonia është shumë e pasur në këtë aspekt. Si lokalitete impozante kemi përplot. Por është për tu veçuar Stobi, Shkupi, Lichnidos, Herakleja. Gjithashtu zbulimet e fundit në Strugë paraqesin një pasuri të veçantë kulturore. Sidomos maskat e arit.

Portalb.mk: Periudhën e fundit pllaka “Dardanus” e zbuluar në Shkup u bë temë debati në shumë drejtime, si një arkeolog, si e vlerësoni trajtimin që ju bë kësaj çështjeje?

Ilir Kurtishi: Është bërë klishe që të politizohet me arkeologjinë në Maqedoni. Nuk ka dyshim se vet qyteti Antik “Scupi” është qendra antike e Dardanëve. Këtë nuk e dëshmon vetëm pllaka e gjetur kohën e fundit. Mirëpo, edhe studime të shumta shkencore. Pra, edhe një herë e potencoj “Scupi” është Qytet Dardan. Pak polemizova që të jem më i qartë dhe ti heqim dilemat mbi autenticitetin e pllakës mbivarrore apo (stella).

Tani unë skam ndonjë informatë se ku gjendet për momentin pllaka. Por, besoj se çdo artefakt evidentohet dhe deponohet në Muzeun i cili i udhëheq gërmimet. Në këtë rast, gërmimet arkeologjike i udhëheq Muzeu i Qytetit të Shkupit. Besoj se Pllaka duhet të jetë në muzeun e qytetit të Shkupit.

Arkeologji - Arkeolog(e)IntervistëKultura shqiptareKulturë lajme