I shkatërruar dhe i lënë nën mëshirë të fatit, Stadiumi i Kumanovës me vite i harruar nga autoritetet

Stadiumi i qytetit në Kumanovë me vite është lënë në harresë nga institucionet. Ky stadium më shumë i ngjan një objekti të braktisur se sa një objekti sportiv. Stadiumi ka dëme të mëdha dhe nuk mirëmbahet. Sportdashësit thonë se institucionet nuk investojnë mjaftueshëm në këtë objekt pavarësisht nevojës së madhe. Për të përmirësuar sadopak gjendjen aty është intervenuar nga vullnetarët. Pushteti qendror përgjegjësinë e hedh te pushteti lokal. Ndërsa Komuna e Kumanovës theksoi se kanë filluar me projektimin e rikonstruimit të stadiumit, shkruan Portalb.mk.

Portalb.mk vizitoi Stadiumin e Kumanovës, ajo çfarë pamë aty ishin mbeturina të hedhura gjithandej, kullosa të pakositura, gropa të mbushura me rërë dhe bar, zhveshtore e dëmtuar, rrjeta të shqepura të futbollit, ulëse të betonit të shëmtuara, dhe shumë dëme dhe parregullsi të tjera.

Më shumë investojnë prindërit dhe trajnerët se institucionet

Trajneri i futbollit me eksperiencë 20 vjeçare Ismet Zeqiri theksoi se Komuna e Kumanovës nuk ka investuar në stadiumin e qytetit.

“Kushtet në këtë stadium janë ata që janë mirëpo fusha për aktivitet është e mirë, ne gati 15 vite mbajmë aktivitete dhe deri para tre viteve nuk ka pasur rrymë. Një pjesë e zhveshtoreve është e mirë e rregulluar sepse ne kemi kontribuar me ndihmën e prindërve ndërsa Komuna e Kumanovës ka investuar pak. Edhe pse leja e tyre është e madhe sepse ne kemi atë fushë që mbledhim fëmijët dhe i largojmë nga rruga duke i drejtuar nëpër aktivitete sportive. Të gjithë punën që e bëjmë është vullnetare, ne trajnerët më shumë investojmë se sa marrim, edhe pse çdoherë ka njerëz të mirë që na ndihmojnë”, tha Ismet Zeqiri.

Ai shtoi se pavarësisht kushteve të këqija, rezultatet nga aktivitetet e tyre janë shumë të mëdha duke u bërë kampionë të Maqedonisë së Veriut me katër gjenerata dy herë fitues të Kupës së RMV-së dhe dy herë finalistë. Dhe se nga aty kanë dalë futbollistë të mëdhenj.

“Lypsarë për stadiumin”

Gazetari i sportit nga Kumanova Reshat Ibraimi tha se ky objekt është lënë në harresë.

“Stadiumi i Kumanovës gjendet vetëm disa metra larg Komunës së Kumanovës. Është për tu ardhur keq se ku ushtrojnë fëmijët e disa shkollave të futbollit aty. Kushtet pas rinovimit të disahershëm të trajnerëve të Kumanovës janë rregulluar pak, por janë shumë larg kushteve modeste. Disa trajnerë dhe disa individ në disa raste janë bërë lypsar nëpër kompani të ndryshme të Kumanovës duke iu kërkuar ndihmë materiale për t’i adaptuar dhomat e zhveshjes për fëmijët ose për futbollistët e rinj”, tha Ibraimi.

Albin Ameti sportist i cili ka tetë vite që merret me aktivitete sportive dhe që një vit rregullisht ushtron në Stadiumin e Kumanovës, theksoi se ky stadium nuk i ka as kushtet elementare të cilat janë të nevojshme për zhvillimin e aktiviteteve sportive.

“Me të vërtetë më vjen shumë keq se ne të rinjtë kemi vullnet dhe dëshirë por kushte s’ka. Si pikë e parë në fushën e futbollit nuk ka fushë ndihmës, nuk ka vija bardha gjë e cila na bënë problem gjatë lojës, edhe pse ka gati 3 vite që e kanë rregulluar zhveshtoren nga njëra anë shyqyr që e kemi por nuk ka hapësirë të mjaftueshme. Mos të flasim për gjëra të tjera që duhet t’i ketë një stadium sepse ato stadiume i shohim vetëm përmes ekranit”, tha Albin Ameti.

Pushteti qendror përgjegjësinë e hedh te pushteti lokal

Për këtë stadium biseduam me zëvendës-ministren e Sportit Safije Sadiki Shaini, ajo tha se përgjegjësitë për Stadiumin e Kumanovës janë të Komunës së Kumanovës.

“Komuna e Kumanovës është ajo që ka dispozitat për të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për rekonstruksionin dhe përmirësimin e infrastrukturës së stadiumit”, tha Shaini.

Ajo shtoi se Ministria e Sportit është e gatshme të mbështesë iniciativat e komunave për zhvillimin e infrastrukturës sportive dhe përmirësimin e kushteve për sportistët dhe komunitetin lokal.

Nga Qeveria e RMV-së të pyetur nëse kanë plan për të ndarë mjete për këtë stadium theksuan se kanë filluar projekt prej 250 milionë eurove për financimin e projekteve të komunave për përmirësimin e infrastrukturës.

“Kjo është një mundësi për komunat për të realizuar projekte të tjera si ndërtim apo rindërtim të objekteve”, thanë nga Qeveria.

Komuna e Kumanovës me projekt për stadiumin por pa afat kohor

Komuna e Kumanovës thotë se kanë filluar me përgatitjen e projektit për rikonstruimin e stadiumit të qytetit.

“NP “Kumanovë – plan” – Kumanovë ka filluar me përgatitjen e dokumentacionit teknik të nevojshëm për vlerësimin e mjeteve financiare, të cilat do të nevojiten për realizimin e projektit – rindërtimin e stadiumit të qytetit. Pas plotësimit të dokumentacionit të nevojshëm, pason vendimi i Këshillit të Komunës, me të cilin projekti mund të përfshihet në programin vjetor për realizimin e projekteve”, thanë nga Komuna e Kumanovës.

Premtime të parealizuara ndër vite

Për këtë stadium janë bërë shumë premtime, por gjendja në terren mbetet e pandryshuar.

Në vitin 2019 kryetari i Komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski deklaroi se do të kërkojë ndihmë nga investitorë privatë për të rregulluar gjendjen e stadiumit.

Në vitin 2021 Dimitrievski tha se duhen rreth 300 mijë euro vetëm për prishjen e stendeve ekzistuese dhe se kanë kërkuar fonde nga Agjencia për Rini dhe Sport.

Artikuj të gjatëKomuna e KumanovësKumanovaMaksim DimitrievskiMinistria e Sportit (MS)Qeveria e Maqedonisë së VeriutStadium(e)