I dyshuari kryesor për sulmet e planifikuara në Vjenë është nga RMV-ja, Austria kërkoi nga MPB të verifikojë personin

I dyshuari kryesor për sulmet që supozohej të ndodhnin në koncertet e yllit të popit amerikan Taylor Swift pranoi se kishte planifikuar krimin, njoftuan sot autoritetet austriake. 19-vjeçari i cili u arrestua dje në Ternitz, siç u raportua më herët, është shtetas i Austrisë, me origjinë nga Maqedonia e Veriut. Ai quhet Beran Aliji, i lindur në Austri, por me origjinë nga Gostivari, mëson “360 Gradë”.

360 Gradë ka verifikuar informacionin nga tre burime të pavarura, të cilët kanë qasje në dokumente konfidenciale.

Përveç tij janë arrestuar edhe dy persona, njëri 17-vjeçar dhe tjetri 15-vjeçar.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, njoftoi se ka pranuar dhe po vepron sipas kërkesës së autoriteteve austriake për të verifikuar një person me origjinë nga Maqedonia e Veriut, i dyshuar për sulmin e planifikuar në Vjenë.

“Ju njoftojmë se nga autoritetet austriake ka ardhur një kërkesë në Ministrinë e Punëve të Brendshme për verifikimin e një personi me origjinë nga Maqedonia dhe i cili dyshohet për një sulm të planifikuar terrorist në Vjenë. Po veprojmë sipas kërkesës së paraqitur”, thonë nga MPB.

Siç shpjegoi drejtori i përgjithshëm austriak i Sigurisë Publike Franz Ruf në konferencën e sotme për shtyp, së bashku me ministrin e Brendshëm Gerhard Karner dhe drejtorin e Drejtorisë së Sigurisë Shtetërore dhe Inteligjencës Omar Haijawi-Pirchner, i dyshuari i parë synonte të kryente sulmin me eksploziv, por dhe duke përdorur armë të ftohta.

“Qëllimi i tij ishte të vriste veten dhe një numër të madh njerëzish të tjerë”, tha Haijawi-Pirchner, transmeton “Prese” austriake (Die Presse).

Sipas hetimeve të deritanishme, ai nuk kishte biletë për koncertet e Swift-it, por nga këndvështrimi i tij nuk kishte nevojë për një të tillë sepse kishte planifikuar të bënte masakrën para stadiumit në momentin që kishte një numër të madh fansash të yllit të muzikës rreth tij.

“Plani i tij ishte të vriste njerëzit jashtë stadiumit gjithashtu”, tha kreu i Autoritetit të Sigurimit Shtetëror dhe Inteligjencës të Austrisë.

Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Sigurisë Publike, i dyshuari 19-vjeçar u largua nga puna më 25 korrik duke thënë se kishte plane të mëdha. Ai madje ndryshoi pamjen e tij.

Sipas drejtorit të Administratës për Siguri Shtetërore dhe Inteligjencë, informacioni për planet e të dyshuarit të parë, një 19-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, ka ardhur nga një shërbim sekret i huaj.

Ai shprehu hapur dhe qartë pikëpamjet e tij për dhe se ndiqte dhe përcillte përmbajtje në lidhje me organizatën IS.

Ndërsa 17-vjeçari i arrestuar, sipas autoriteteve austriake, ai ishte punësuar në një kompani në stadiumin Ernst Happel, ku do të mbaheshin koncertet e yllit të estradës amerikane. Ai u mbrojt duke heshtur për akuzat për përfshirje në planifikimin e sulmit.

Kompania ku ai ishte i punësuar duhej të kryente shërbimet në stadium sonte, kur ishte caktuar koncerti i parë nga tre koncertet e Taylor Swift. 

Dje është ndaluar edhe një person i tretë 15 vjeç, i cili ka deklaruar se i dyshuari kryesor është informuar rregullisht për teknologjinë e eksplozivëve.

Dje gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit të parë janë konfiskuar lëndë kimike, si dhe janë pastruar shtëpitë aty pranë për shkak të frikës nga prania e sasive të mëdha të eksplozivit.

“Të gjitha materialet e sekuestruara po i nënshtrohen ekspertizës dhe vlerësimit. Është ende e nevojshme një punë e gjerë hetimore”, theksoi Hayavi-Pirchner.

GostivariISIS - DAESHKoncertMaqedonia e Veriut RMVVjena Viena