Humbën jetën presidenti iranian dhe kryediplomati si pasojë e rrëzimit të helikopterit

Kanë humbur jetën presidenti iranian, Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm, Hossein Amir-Abdollahian si pasojë e rrëzimit të helikopterit, transmeton Anadolu.

Televizioni shtetëror iranian njoftoi se nuk ka asnjë të mbijetuar nga aksidenti në të cilin u përfshi helikopteri i presidentit Raisi.

Në mbetjet e helikopterit është arritur pas një kërkimi 15-orësh ndërsa përveç presidentit Raisi dhe ministrit Abdollahian, në aksident humbën jetën edhe guvernatori i Tabrizit, Malek Rahmati, Ali Ale-Hashem përfaqësuesi i liderit iranian Ali Khamenei për Tabrizin.

Në aksident humbën jetën edhe dy zyrtarë të lartë ushtarakë dhe tre anëtarë të ekuipazhit të Ushtrisë së Gardës Revolucionare, të cilët ndodheshin në helikopterin e Raisit.

Mbetjet e helikopterit u gjetën pas zbulimeve të dronit “Akinci”

Raisi dje mori pjesë në inaugurimin e një dige në kufirin me Azerbajxhanin. Televizioni shtetëror raportoi se helikopteri që transportonte presidentin iranian bëri ulje të vështirë për shkak të mjegullës së madhe.

Ekipet e kërkim-shpëtimit raportuan se puna po vazhdonte me vështirësi për shkak të kushteve të pafavorshme të motit ndërsa Irani kërkoi një mjet ajror pa pilot nga Turqia për të kryer kërkimin ajror.

Droni “Akinci”, të cilin Turqia e caktoi të marrë pjesë në aktivitetet e kërkimit në lidhje me rrëzimin e helikopterit të presidentit iranian dhe disa zyrtarë, zbuloi burimin e nxehtësisë, që mendohej të ishte rrënoja e helikopterit dhe ndau koordinatat me autoritetet iraniane.

Televizioni shtetëror iranian pas kësaj njoftoi se në vendin e incidentit nuk ka shenja jete.

Kush ishte presidenti Ebrahim Raisi?

Presidenti Ebrahim Raisi, i njohur si klerik ligjor, lindi më 14 dhjetor të vitit 1960 në Mashhad të Iranit.

Reisi e filloi karrierën e tij si prokuror i Kerch-it në vitin 1981, pas revolucionit në vitin 1979. Raisi u bë zëvendëskryeprokuror i Teheranit në moshën 25-vjeçare.

Ai ishte anëtar i komitetit prej katër personash që vendosi të ekzekutonte kundërshtarët e burgosur të regjimit në vitin 1988, sipas udhëzimeve të udhëheqësit revolucionar iranian Khomeini.

Pas vdekjes së Khomeinit, Raisi në periudhën e Ali Khamaneit u ngrit në postet qeveritare. Në periudhën 1989-1994 u emërua si kryeprokuror i Teheranit ndërsa më pas u emërua si kryetar i Autoritetit të Auditimit Shtetëror në vitin 1994, ku qëndroi në këtë detyrë për 10 vjet.

Raisi u emërua zëvendëskryetar i parë i Drejtësisë në vitin 2004. Raisi, i cili u emërua kryeprokuror i përgjithshëm i Iranit në vitin 2014, u emërua kryetar i Fondacionit të Tyrbes dhe Kompleksit të Imam Rezait në qytetin e Mashhadit nga Khamenei në vitin 2016.

Në zgjedhjet që u mbajtën në Iran më 19 maj 2017, edhe pse ishte kandidat Raisi humbi ndaj presidentit të asaj kohe Hassan Rouhani.

Në zgjedhjet e 18 qershor 2021, Raisi i mori 62 për qind të votave dhe u bë presidenti i 8-të i Iranit. Gjatë presidencës së Raisit, u ndoq një politikë e jashtme që i jepte prioritet marrëdhënieve me fqinjët. Gjatë kësaj periudhe marrëdhëniet me Arabinë Saudite u rivendosën pas 7 vitesh.

Ishte në listën e sanksioneve të SHBA-së

Raisi u vendos në një listë sanksionesh nga SHBA-ja në nëntor 2019 për rolin e tij të dyshuar në ekzekutimin e të burgosurve politikë dhe shtypjen e trazirave sociale në vitin 2009.

Emri i Ebrahim Raisit ishte në mesin e kandidatëve që të ulet në postin e lidershipit të vendit pas Khamaneit.

Kush ishte ministri i Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian?

Hossein Amir-Abdollahian i njohur për identitetin e tij konservator, ka lindur në vitin 1964 në qyetetin Damghan të provincës Semnan të Iranit.

Abdollahian, i cili diplomoi në Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Universitetit të Teheranit në vitin 1991 dhe fliste persisht, arabisht dhe anglisht, shërbeu si ambasador i Iranit në Bahrein një kohë gjatë sundimit të ish-presidentit Mahmoud Ahmadinejad.

Ai më pas gjatë periudhës së Ahmadinejad dhe Hassan Rouhani ishte zëvendësministër përgjegjës për Çështjet Arabe dhe të Afrikës ndërsa më pas u bë ministër i jashtëm në gusht të vitit 2021.

Gjatë mandatit të Abdollahian si ministër i Punëve të Jashtme, pas 7 vitesh tensionesh midis Teheranit dhe Rijadit, u arrit marrëveshje me Arabinë Saudite për të rifilluar marrëdhëniet diplomatike dhe për të hapur reciprokisht ambasadat në mars 2023.

Nënpresidenti i parë do të marrë përsipër detyrën

Neni 131 i Kushtetutës së Iranit përcakton se në rast se presidenti vdes dhe presidenti nuk mund të zgjidhet, nënpresidenti i parë do të marrë kompetencat dhe përgjegjësitë e presidentit, me emërimin nga lideri i vendit (Ali Khamenei).

Bordi i përbërë nga kryetari i parlamentit, kreu i gjyqësorit dhe nënpresidenti i parë, pra krerët e legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, është përgjegjës për organizimin e procesit për zgjedhjen e presidentit të ri brenda maksimum 50 ditësh.

Irani