Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch (HRW), tha se sulmet ajrore izraelite në depot e naftës përreth Teheranit në muajin mars, mund të kenë shkaktuar dëme serioze afatgjata për civilët dhe mund të përbëjnë krime lufte, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Në një raport të publikuar më 13 prill, organizata tha se sulmet ndaj infrastrukturës që është kryesisht civile në natyrë, “janë shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar” dhe “ka të ngjarë të jenë krime lufte”.
Sulmet ndodhën më 7 mars, kur Izraeli shënjestroi katër depo nafte në zonën e Teheranit.
Autoritetet iraniane raportuan të nesërmen se “katër lokacione të përdorura për ruajtjen dhe shpërndarjen e produkteve të naftës dhe një qendër transporti për produkte të naftës… u sulmuan nga avionët armiqësorë”.
Në të njëjtën ditë, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit njoftuan se kishin goditur “disa komplekse të magazinimit të karburanteve” në Teheran, që i përkisnin Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).
HRW-ja tha se sulmet mund të kenë pasoja të rënda afatgjata për ata që jetojnë në Iran.
Sulmet “mund të kenë pasoja shkatërruese në mjedis dhe në shëndetin e njerëzve për shumë vite dhe ka të ngjarë të përbëjnë krime lufte”, shkroi studiuesja e HRW-së, Bahar Saba.
“Forcat izraelite nuk duket se e kanë marrë parasysh dëmin e parashikueshëm afatgjatë… dhe duhet të mbahen përgjegjëse”, shtoi ajo.
Organizata tha se i bazoi gjetjet e saj në intervista me tetë persona në Teheran dhe Karaj, në konsultime me nëntë ekspertë mjedisorë dhe shëndetësorë dhe në analizë të imazheve satelitore dhe videove të verifikuara.
HRW-ja u shkroi edhe autoriteteve izraelite dhe iraniane më 26 mars, për të kërkuar sqarime.
Zyrtarët iranianë nuk u përgjigjën, ndërsa zyrtarët izraelitë u përgjigjën më 30 mars, duke thënë se sulmet “u kryen në përputhje me parimet e dallimit, proporcionalitetit dhe masave paraprake”.
Ata shtuan se objektet e shënjestruara ishin “për të siguruar karburante direkt për njësitë në forcat e armatosura të regjimit… duke përfshirë aviacionin, UAV-të dhe anijet detare”.
HRW-ja tha se ka konfirmuar se depot e naftës u përdorën për “qëllime civile”, por vuri në dukje se nuk mund të përcaktonte nëse ato u përdorën edhe për mbështetje ushtarake.
Një burim i informuar i tha organizatës se “depot e naftës përmbanin vetëm benzinë dhe naftë… nuk përdoren për aviacion, UAV ose anije detare”.
Grupi i të drejtave të njeriut arriti në përfundimin se, duke pasur parasysh dëmin e parashikueshëm mjedisor dhe shëndetësor, sulmet ngrenë shqetësime serioze sipas ligjit ndërkombëtar humanitar dhe mund të përbëjnë krime lufte.