Nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup sot bënë homazhe e te Qendra Memoriale “Bllaca 1999”, aty ku qëndron Murit i Kujtesës si dëshmi e gjallë e vuajtjes dhe qëndresës. Ata përkujtuan këtë kapitull të dhimbshëm, duke vënë lule, shkruan Portalb.mk.
Në prillin e vitit 1999, kombi shqiptar përjetoi një nga plagët më të thella dhe të paharrueshme të historisë së tij moderne-dëbimin masiv dhe dhimbjen kolektive të mijëra shqiptarëve që kaluan përmes ferrit të Bllacës. Në atë tokë kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së atëhershme.
Skender Asani Drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup në fjalën e tij përshëndetëse tha se sot janë mbledhur për të përkujtuar, për të reflektuar, por mbi të gjitha për të mos harruar.
“Prilli i vitit 1999 ishte një plagë që u hap për gjithë kombin shqiptar. Një plagë që nuk e mbulon as koha dhe as heshtja. Në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë së atëhershme, në atë vend që sot e njohim si Bllacë, ndodhi një prej kapitujve më të errët të historisë sonë moderne. Qindra mijëra shqiptarë u dëbuan dhunshëm nga shtëpitë e tyre. Me tren të mbushur përplot, me fytyra të lodhura, me sytë që kërkonin shpresë në qiellin e mbuluar me tym e lot”, tha Asani.
Ai mes tjerash shtoi se “sot… kam kënaqësinë, dhe mbi të gjitha përgjegjësinë morale, të ndaj me ju një ndjesi të thellë: ne jemi protagonistë të kujtesës. Ne jemi ata që morëm përsipër të mos lejojmë që kjo histori të mbulohet nga pluhuri i harresës. Ne jemi kontribuues të drejtpërdrejtë në krijimin e Qendres Memoriale “Bllaca 1999”, një projekt që shkon përtej dokumentimit-është një akt drejtësie ndaj çdo viktime, çdo të mbijetuari dhe çdo kujtimi që rrezikonte të humbiste”.
Asani gjithashtu theksoi se kjo qendër sjell jo vetëm fakte, por edhe zëra.
“Zërat e atyre që erdhën me trenin e prillit ’99, me sytë e lodhur, por me dinjitetin e palëkundur. Ne kemi kontribuar në sjelljen në dritë të rrëfimit të atij treni-jo vetëm si simbol i dhimbjes, por edhe si dëshmi e mbijetesës, e qëndresës dhe e guximit njerëzor. Sot kemi nderin të themi se jemi gjithashtu kontribues në ndërtimin e Murit të Kujtesës në Bllacë. Një mur i ndërtuar jo vetëm me gurë, por me frymë. Çdo gur i vendosur në mozaikun e këtij muri simbolizon një jetë të shpërngulur, një fëmijë që qante, një nënë që lutet, një familje që i reziston harresës. Ky mur flet. Dhe mes atyre gurëve është vendosur me nder edhe emri i ITSHKSH-së, si një institucion që nuk ka reshtur së ruajturi e dokumentuari të vërtetën. Dhe me përulësi, është skalitur aty edhe emri i njërit prej ideatorëve dhe drejtuesve të këtij projekti, si dëshmi e përkushtimit që ky projekt ka pasur në çdo hap të tij”, theksoi Asani
Asani bëri të ditur edhe rëndësinë e aspekteve të ndryshme të kësaj qendre.
“Por përkujtimi nuk mjafton. Kujtesa ka nevojë për hapësirë. Për këtë arsye, qendra memoriale në Bllacë ka një rëndësi të shumëfishtë. Në rrafshin historik… në rrafshin humanitar… dhe në rrafshin diplomatik”, tha Asani.
Pjesë e kësaj vizite ishte edhe Teuta Shala Peli, drejtoreshë e Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, veterani i luftës Izmit Nura dhe historianin Besnik Rahmeti, aty përulën kokën përballë këtij kujtimi, me nder dhe krenari, duke dëshmuar se e kaluara jonë nuk është thjesht një e shkuar e dhimbshme, por një mësim i gjallë për drejtësi, dinjitet dhe shpresë.