Hezbollahu libanez sulmoi Izraelin me 20 dronë dhe 200 raketa

Hezbollahu i Libanit ka kryer sulm ndaj Izraelit me 20 mjete ajrore pa pilot (dronë) dhe më shumë se 200 raketa, transmeton Anadolu.

Siç raporton “The Times of Israel”, Hezbollahu ka kryer sulme ndaj bazave ushtarake të Izraelit në kufirin verior.

Hezbollahu lëshoi 20 dronë dhe 200 raketa në territorin izraelit një ditë pas sulmit të ushtrisë izraelite në qytetin Tire në jug të Libanit, në të cilin u vra komandanti i lartë i Hezbollahut në terren, Mohammed Nime Nasser dhe një nga anëtarët e tij.

Sipas të dhënave paraprake, në një qendër tregtare në Akka u shkaktuan dëme, por nuk u shënuan humbje jete apo plagosje. Si pasojë e sulmit në rajon ka shpërthyer një zjarr i madh.

Në një deklaratë nga ushtria izraelite thuhet se kundërsulme kanë nisur edhe në kufirin libanez.

– Tensione në “vijën e kaltër”

Izraeli i cili vazhdon sulmet në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, po lufton gjithashtu me Hezbollahun libanez në kufirin e tij verior. Tensionet janë përshkallëzuar javët e fundit në vijën kufitare midis Izraelit dhe Libanit, të quajtur “Vija e kaltër”.

Ushtria izraelite njoftoi më 18 qershor se kishte miratuar “planin operacional” për një sulm të mundshëm në Liban.

Ministri i Jashtëm izraelit, Yisrael Katz në deklaratën e tij më 21 qershor tha se sulmet e Hezbollahut ndaj tokave dhe qytetarëve izraelitë nuk mund të lejohen dhe se së shpejti do të marrin vendimet e nevojshme.

Hezbollahu libanez përsëriti qëndrimin e tij se do të vazhdojë sulmet derisa Izraeli të nënshkruajë marrëveshje armëpushimi në Gaza.

IzraeliLibani