Hendeku gjinor në tregun e punës në RMV alarmant, ekspertët bëjnë thirrje për përfaqësim më të madh të grave

Hendeku gjinor në mbarë botën mbetet i lartë dhe sipas Raportit Global të Hendekut Gjinor të vitit 2024, ai qëndron në 32%. Vlerësimet thonë se do të duhen 152 vjet për të mbyllur këtë hendek, i cili është dukshëm më i gjatë se përpara pandemisë. Për të hequr pengesat dhe për të mbyllur hendekun gjinor, nevojiten reforma gjithëpërfshirëse, transmeton Portalb.mk.

Këtë e ka theksuar guvernatorja e Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut, Anita Angellovska Bezhoska. Sipas saj, përfaqësimi më i madh i grave në tregun e punës mund të rrisë elasticitetin e ekonomive.

“Aktualisht, pjesëmarrja e grave në tregun e punës në rajon është ende e ulët, pra shkalla e aktivitetit të tyre është 45%, kundrejt shkallës së aktivitetit të burrave prej 64%. Zvogëlimi i këtij hendeku të madh paraqet një mundësi të rëndësishme për rritje ekonomike në të ardhmen, e cila sipas vlerësimeve të Bankës Botërore mund të jetë edhe më e lartë për 18% në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Angelovska Bezhoska.

Presidentja e Maqedonisë së Veriut e cila është edhe presidentja e parë grua e vendit Gordana Siljanovska Davkova theksoi se edhe pse progresi është evident në këtë drejtim, nuk duhet të jemi të kënaqur me atë që është arritur në fushën e barazisë gjinore.

“Është veçanërisht e rëndësishme që të eliminohen barrierat për pjesëmarrjen dhe udhëheqjen ekonomike të grave. Gratë duhet të marrin rolin reformues. Besoj se pikërisht gratë lidere në ekonomi, me energjinë, angazhimin, vendosmërinë, aftësitë dhe njohuritë e tyre mund të ridrejtojnë rrjedhat ekonomike”, tha Siljanovska Davkova.

Këto komente u bënë gjatë Forumit Ekonomik të Grave “Ballkani 2024”, organizuar nga Shoqata e grave menaxhere “Elita”.

Sipas një hulumtimi të organizatës HERA, vetëm 38,3% e grave në Maqedoninë e V. janë të punësuara. 25% e kompanive menaxhohen nga gra ndërsa vetëm 19% e punëdhënësve në vend janë gra. Situata qëndron e njëjtë edhe për gjeneratat e reja, përderisa 23% e burave të rinj janë të punësuar, numri i grave të reja të punësuara është 12,4%.

Ndërkaq sipas Indeksit të Hendekut Gjinor për vitin 2024 nga Forumi Ekonomik Botëror RMV-ja është e renditur e 58-ta në Botë nga gjithsej 148 shtete.

Anita Angelovska BezhovskaBanka Popullore e RMVBarazi gjinoreGordana Siljanovska Davkova