Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti ka diskutuar për emra konkretë të kandidatëve të mundshëm konsensualë për president gjatë takimeve të ndara që i ka zhvilluar me kryetarin e PDK-së dhe me atë të LDK-së, raporton Koha.net.
Në një intervistë për emisionin “Konfront” në Kohavision, ajo ka thënë se përfaqësuesit partiakë po mbajnë qëndrime ndryshe në takime e ndryshe para mediave, kur flasin për zgjedhjen e presidentit.
“Mendoj që është shumë e rëndësishme që të pajtohemi për një gjë – që vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme… Nganjëherë krijohet përshtypja që dikush do që të shkojë sepse ndoshta mendon se mund të prishet rezultati i dhjetorit të vitit të kaluar… Deputetë nga partitë politike, pra jo si qëndrime të partive politike, por është e rëndësishme që ajo çfarë thuhet në takim të jetë qëndrim i partisë politike – të jetë tamam ashtu siç thuhet dhe jo diçka tjetër të thuhet në takime e diçka tjetër jashtë takimeve”, ka thënë ajo.
Në intervistë, Haxhiu ka folur edhe për vendimin që do ta marrë për kompletimin e KQZ-së. Haxhiu, e cila ushtron detyrën e presidentes duke qenë kryeparlamentare, ka folur edhe për ekspozitën me pasaktësi për masakrat, e cila është financuar edhe nga Kuvendi.
Në intervistë, Haxhiu ka dhënë pikëpamjen e saj edhe për Projektrezolutën e propozuar nga PDK-ja, një pikë e së cilës kërkon ndryshime në Kodin penal, me qëllim që të ndiqet penalisht kushdo që mohon ose minimizon krimet e Serbisë. Ajo ka theksuar se dëshmorët e viktimat nuk bën të përmenden veç në prag zgjedhjesh.