Një tërmet me magnitudë 3.4 ballë sipas shkallës Rihter është regjistruar mëngjesin e sotëm në Greqinë fqinje, afër kufirit me Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.
Tërmeti, siç informon Observatori Sizmologjik pranë Fakultetit Matematiko-Natyror në Shkup, është ndjerë në Manastir dhe rrethinë me intensitet prej tre gradësh sipas shkallës makrosizmike evropiane.
Sipas informacioneve nga Observatori, tërmeti është regjistruar në orën 06:04, me epiqendër me origjinë nga zona kufitare epiqendrore Manastir-Lerin, në Greqinë fqinje, 125 kilometra në jug të Shkupit.
Tërmeti ka qenë në një thellësi prej 10 kilometrash, sipas të dhënave të publikuara në faqen e internetit të Qendrës Sizmologjike Mesdhetare Evropiane (EMSC).
Për momentin nuk ka informacione për dëme të mundshme.
Dy ditë më parë, më 26 mars, një tërmet me magnitudë 3.2 ballë sipas shkallës Rihter është regjistruar në afërsi të Elbasanit në Shqipëri dhe është ndjerë edhe në viset jugperëndimore të vendit, veçanërisht në rajonin Ohër-Strugë.