“Google” në mënyrë të paligjshme ka mbajtur monopolin në kërkimin në internet, vendosi një gjykatë në ShBA

Një gjykatë amerikane vendosi që Google ka vepruar në mënyrë të paligjshme për të shtypur konkurrencën e saj dhe për të ruajtur një monopol në kërkimin dhe reklamimin në internet. Vendimi është një goditje e madhe për Alphabet, kompaninë mëmë të Google, dhe mund të ndryshojë mënyrën se si gjigantët e teknologjisë bëjnë biznes, transmeton Reuters.

Google u padit nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë në vitin 2020 për kontrollin e 90% të tregut të kërkimit në internet. Është një nga disa padi të ngritura kundër kompanive të mëdha të teknologjisë pasi autoritetet amerikane antitrust kërkojnë të forcojnë konkurrencën në industri.

Është e paqartë se çfarë ndëshkimesh do të marrin Alphabet dhe Google si rezultat i këtij vendimi, i cili do të përcaktohet në seancat e ardhshme. Qeveria ka propozuar “lehtësim strukturor”, që në teori mund të nënkuptojë shpërbërjen e kompanisë.

Gjykatësi i qarkut Amit Mehta tha se Google kishte paguar miliarda dollarë për të siguruar që ai ishte motori i kërkimit i paracaktuar në telefonat dhe shfletuesit.

“Google është një monopolist dhe ka vepruar për të ruajtur atë monopol”, shkroi Mehta në vendimin prej 277 faqesh.

Alphabet tha se planifikon të apelojë vendimin, të cilin Prokurori i Përgjithshëm i SHBA Merrick Garland e përshkroi si një fitore historike për popullin amerikan.

“Asnjë kompani, pavarësisht sa e madhe dhe e fuqishme, nuk është mbi ligjin”, tha Garland.

Rregullatorët federalë kanë ngritur padi të ngjashme kundër Meta, Amazon dhe Apple.

Google