GLOBISH (I)

“Çlirimi i mendjes është edhe çlirim i gjuhës.”

Robert McCrum

Këtyre ditëve jemi duke redaktuar një tezë masteri lidhur me anglishten si lingua franca të marrëdhënieve ndërkombëtare të sotme, moderne. Dhe, gjatë përpjekjes për të zgjeruar literaturën me të cilën kandidati do të pasuronte perspektivën e vet dhe të studimit, në një artikull ndeshëm një term të ri: globish. Pra, nga diplomacia dhe sociologjia politike kaluam te ajo e komunikimit. Globish, kalk i përbërë nga global dhe english, është një nocion i shpikur nga zv-presidenti i Digital Equipment Europe, manaxher shitjes në “Peugeot”, ekzekutiv i kompanisë IBM, Jean-Paul Nerrière, në vitin 1995 dhe i njëjti përshkruan një version të anglishtes së bazuar në një gramatikë të thjeshtëzuar nga 1500 fjalë të cilat i gjejmë të radhitura te botimi 2004 i veprës së tij Don’t speak English! Parles Globish (“Mos fol anglisht, llafos globisht”, Editions D’Organisation). Ka pretendime se i pari që e ka shfrytëzuar këtë neologjizëm ka qenë indiani Madhokar Gogate, diku gjashtë vjet para Nerrière i cili e ka përvetësuar dhe patentuar këtë fjalë. Në linjë të ngjashme ka qenë  edhe I.A. Richards që në vitet 1920 ka konstruktuar gjuhën angleze bazike me 2000 fjalë. (ABC Education, 2019)

Globish është një vegël apo mjet komunikimi, jo një gjuhë dhe e njëjta përdoret nga 88%-shi i njerëzimit, që përfshin 96 % e komunikimit ndërkombëtar, një aparat gjuhësor i kuptueshëm lehtë në hjeografitë dhe linjat e ndryshme kulturore.  Siç shprehet Robert McCrum në veprën e tij Globish: How the English became the world’s language (“Globish: Si anglishtja u bë gjuhë e botës”, W.W. Northon & Company, 2011) , anglishtja është shndërruar në gjuhë globale, të njerëzimit. Globish nuk është thjesht si anglishtja globale, por një “gjuhë” përmes të cilës joanglezët mund të komunikojnë mes vete duke shfrytëzuar një fjalor minimal, utilitar dhe funksional të anglishtes. Kur njerëzit ta zotërojnë këtë globishin s’do të kenë nevojë ta mësojnë anglishten e mirënjohur. Kjo kategori sub-gjuhësore i kënaqë gjuhëtarët që kanë frikë nga aanglishtja, që hipotetizojnë se përhapja e anglishtes rrezikon mbijetesën e gjuhëve të tjera, në veçanti të komuniteteve të vogla. Globish është një revolucion i globalizimt, i kapitalizmit që energjinë e merr nga anglishtja që dominon manifestimet dhe agjendat kulturore, politike, ekonomike na katër anët e botës. (Cothiner 2010) Ka të atillë që këtë formë shprehjeje e cilësojnë si gjuha “no jokes, no idioms” (pa shaka, pa idioma).

Nerriere kësaj gjuhe i jep një mision shpëtimtar:

“Unë i ndihmoj shpëtimit të frengjishtes dhe të gjitha gjuhëve që janë të kërcënuara nga anglishtja sot, që nuk do të rrezikohen nga globish. Është interes i vendeve joanglofone të mbështesin globishin, në veçanti nëse e duan kulturën dhe gjuhën e vet.”

McCrum, një autor dhe redaktor britanik, i cili ka bashkë-shkruar disa botime të “The Story of English” (Storja e anglishtes), shpjegon se globish është një fenomen ekonomik: gjuha e biznesmenëve nga Singapori që lidhin marrëveshje me ndihmën e një arsenali të vogël fjalësh angleze dhe e zyrtarëve evropianë që qetësojnë tregjet financiare duke shqiptuar fraza të aksioneve në televizionet globale. Michael Sapkiner në “Financial Times” jep nj shembull sinjifikativ të shfrytëzimit të kësaj kuazi-gjuhe: Kur bashkëbisedon një punëtor japonez me një belg, një kilian me një italian, ata gjejnë gjuhë të përbashkët ndonëse asnjëri s’e flet rrjedhshëm anglishten, duke pasur parasysh se tjetri bën gabime gjithashtu, duke u bashkuar te të folurit e dobët të gjuhës dominante ta aktualitetit. Përderisa një ligjërues në shkollë apo universitet, një shkrues i një artikulli apo libri shkencore duhet të shprehet në anglishten standarde, një nëpunës në një hotel të Dubait me turistët nga anë të ndryshme të botës mund të përdorë globish. /vijon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Ali PajazitiKolumnat e Portalbit