Shkruan: Naim Iljazi
Pushteti gjyqësor duhet të jetë autonom nga legjislativi dhe i pakontrolluar nga ekzekutivi, mbase kjo tingëllon edhe si klishe, por fati i qytetarëve është duke u ndërtuar në një diskurs që duket pak sa i mërzitshëm.
Për fat të keq, në Maqedoninë e Veriut jo vetëm që nuk ekziston gjyqësor i pavarur dhe apartiak, përkundrazi nga çdo subjekt politik propagandohet se kush më shumë do të heq nga liria e pushtetit gjyqësor. Dëshira e paepur ndaj gjygjësorit, po e shëndron atë në mekanizëm të përsosur të posedimit të së drejtës nga ekzekutivi.
Kjo mendësi dëmton ndërtimin e shtetit, sepse një gjygjësorë i kontrolluar nga ekzekutivi do të thotë diktaturë, dhe mbeshtetja për diktaturë nuk na nderon. E drejta nuk është pronë e ekzekutivit (padallim se cili subjekt politik qeverisë), e drejta i takon qytetarit.
Nuk është e hijshme qasja e ekzekutivit ndaj gjyqësorit si posedim. Duhet patur kujdes se si i referohemi diçkaje që presim të jetë autonom. Duhet patur kujdes fjalët që përdor ekzekutivi, qofshin edhe urdhëruese ndaj pushtetit gjyqësor, pasi që pushteti i fjalës i dalë nga ekzekutivi është fenomen i habitshëm, sa i fuqishëm, po aq edhe kompleks. Fjala e ekzekutivit mund ta kontrolloi vendimin e gjygjësorit, në një sistem ku mbrojtësit e së drejtës janë puthakëmbësit e pushtetarit. Por fjala e ekzekutivit mund të ndikojë edhe tek ndjenjat e qytetarëve.
Kohëve të fundit është duke u krijuar një perceptim mbi besueshmërinë e Gjykatës Kushtetuese, duke u reflektuar si instrument që mbase mund të merr vendime jo të drejta, që ndanë dhe favorizon qytetarët maqedonas kundrejt shqiptarëve që ndjehen apo janë të diskriminuar.
Gjykata Kushtetuese duhet ta ketë parasysh se Kushtetuta është dokumenti më autoritar që kodifikon dhe organizon mënyrën e jetesë dhe hapësirës në Maqedoninë e Veriut, edhe atë si një republikë unitare. Gjykata Kushtetuese, përtej presionit publik, vendimet që i merr nuk duhet t’i shkëpus nga realiteti politik por përkundrazi duhet të pasqyrojë një pajtueshmëri stimuluese.
Në të kundërtën vëndoset në pikëpyetje uniteti i republikës dhe për të balancuar pushtetin krijohen rrethana për kushtetutë dypalëshe. Për këtë arsye çështja shqiptare në Maqedoninë e Veriut, duhet të trajtohet si realitet politik, ku përfshirja e shqiptarëve të jetë garanci që vdimet e gjykatës të jenë të bazuara në kohezionin politik të ndërtimit të shtetit. Mospërfshirja e shqiptarëve, fatkeqësisht do të çonte në polarizim të shoqëris dhe dështim të gjyqësorit, por edhe të institucioneve tjera që kanë për detyrë të përmbushin nevojat e çdo qytetari në një shoqëri shumë etnike.
Prandaj le të jetë ky moment që do të na zgjoi nga gjumi për shtetin që duam ta ndertojmë dhe për drejtësi jo selektive. Kujdes me fjalët (ekzekutiv) dhe rroftë Drejtësa (gjygjësor)!