Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim lëndën për vulat e Aleancës për Shqiptarët

Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim lëndën për vulat e Aleancës për Shqiptarët. Lidhur me këtë ka reaguar fillimisht kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari. Sipas Taravarit, me vendimin e fundit të gjykatës, Aleanca për Shqiptarët i kthehet anëtarësisë së saj, transmeton Portalb.mk.

“Aleanca për Shqiptarët është e jona! Gjykata e Apelit vendosi që partia Aleanca për Shqiptarët i takon shumicës absolute. Partia i kthehet anëtarësisë së saj! Urime të gjithëve!”, shprehet Taravari.

Ndërkohë nga krahu i Aleancës për Shqiptarët të Ziadin Selës, ka reaguar Krenar Lloga, i cili thotë se edhe pas “presionit të Taravarit dhe padronit të tij, ai nuk ka fituar lëndën rreth “vulave të ASH-së”.

“Lënda rreth legjitimitetit të Aleancës për Shqiptarët është kthyer në rigjykim në Gjykatën Themelore të Tetovës. ASHM – Aleanca për Shërbimet ndaj Mickoskit do ishte e drejtë të quhet subjekti i ri pas ndarjes nga partia jonë. 100 ditë në qeverisje me VMRO-DPMNE e kanë dëshmuar në çdo sekondë veprimtarinë kuislinge. P.s edhe në Gjykatën e Apelit në Gostivar është ndërruar gjyqtarja ama… Ska lidhje be shoc, mos e përmend se në favorin tonë është”, shkroi Lloga.

Ndryshe, mbrëmë nga Aleanca për Shqiptarët krahu  Taravarit u shprehën se Gjykata e Apelit në Gostivar ka kthyer në rigjykim lëndën e partisë politike Aleanca për Shqiptarët.

“Gjykata e Apelit e kthen lëndën në rigjykim pas vendimit paraprak që solli Gjykata Themelore në Tetovë, ku ajo zvarritej dhe u ndërruan disa gjykatës derisa u mor edhe vendimi skandaloz me presion nga ish ministri i drejtësisë, Krenar Lloga, që vulat e partisë t’i takojnë fraksionit që iu bashkua BDI-së. Duke marrë parasysh dëshmitë e deponuara pranë Gjykatës së Apelit në Gostivar, vendimi final pritet që të jetë në favor tonin dhe partia së bashku me vulat të mbeten te kryetari legjitim i saj, Arben Taravari”, u shprehën nga ASH.

Kujtojmë se Arben Taravari dhe Ziadin Sela hynë në konflikt të hapur për koalicionin e mundshëm parazgjedhor me opozitën shqiptare.

Me këtë Aleanca u përça në dy fronte, në krahun e Taravarit i cili në zgjedhje do shkojë bashkë me opozitën shqiptare VLEN (Lëvizja Besa, Alternativa Lidhja Demokratike) dhe në krahun e Ziadin Selës i cili në zgjedhje do të garojë me “Frontin Evropian” (Bashkimi Demokratik për Integrim, Partia Demokratike Shqiptare, Lëvizja Populli, Partia Demokratike Europiane, Partia Demokratike Turke Unioni i Romëve, Lëvizja e Turqve të Maqedonisë për Drejtësi dhe Demokraci, Unioni Demokratik Boshnjak).

Aleanca për Shqiptarët (ASH)Gjykatat e Apelit RMV