Gjykata e Apelit e ktheu në rigjykim rastin e zjarrit në spitalin modular të Tetovës për shkak të fakteve të vërtetuara pa kujdes

Drejtorët e spitalit të Tetovës, në të cilin gjatë pandemisë së Covid-it  nga zjarri u dogjën 14 persona, do të gjykohen sërish. Aktgjykimi i Gjykatës së Tetovës ka qenë i paqartë, vendosi kështu Gjykata e Apelit në Gostivar. Tashmë për më shumë se dy vite prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion po kryen procedurë parahetimore për shkaqet e zjarrit, raporton IRL, përcjell Portalb.mk.

Në rigjykim kthehet një pjesë e lëndës kundër dy drejtorëve të spitalit të Tetovës për rastin e zjarrit në të cilin tre vite më parë në spitalin modular për COVID-19 u dogjën 14 pacientë. Gjykata e Apelit në Gostivar ka vendosur që ta kthejë nga fillimi procedurën ndaj drejtorëve, pasi aktgjykimi i parë ka qenë i paqartë. Nga Gjykata e Apelit në aktgjykim thonë se Gjykata e Tetovës “nuk ka vepruar me kujdesin e duhur që të mund t’i vërtetojë me siguri të gjitha faktet juridike relevante”.

“Aktgjykimi është i paqartë, i pakuptueshëm dhe i papërshtatshëm për shqyrtim”, thuhet në atkgjykimin e Apelit.

Ndërsa aktgjykimin lirues për mjekun Boban Vuçevski e konfirmoi edhe Gjykata e Apelit në Gostivar.

Gjykata Themelore në Tetovë drejtorët Florin Besimi dhe Artan Etemi vitin e kaluar i dënoi me burgim me kusht prej një viti e gjysmë për “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”. Ata nuk do të shkojnë në burg nëse nuk kryejnë një vepër penale të re në tre vitet e ardhshme. Në kohën e shpërthimit të zjarrit në krye të spitalit ishte Besimi, ndërsa drejtor ekonomik ishte Etemi.

Spitali i Tetovës u dënua me një gjobë prej rreth 16 mijë eurosh.

Ndërsa mjeku Boban Vuçevski, i cili ka qenë në shërbim natën kur shpërtheu zjarri, në gjykimin e shkallës së parë u lirua nga akuza se nuk ka vepruar sipas rregullave shëndetësore.

Por, Prokuroria e Tetovës, e pakënaqur me aktgjykimin, e ankimoi vendimin në Gjykatën e Apelit në Gostivar.

Prokuroria kërkoi që drejtorëve tu jepen dënime më të ashpra,  ndërsa aktgjykimi lirues për mjekun të anulohet dhe lënda të kthehet në rigjykim.

Koteski: Tani Prokuroria duhet t’i ndjekë fajtorët e vërtetë

Avokati Darko Koteski, i cili e mbronte mjekun Vuçevski, për IRL thotë se për aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Gostivarit ka mësuar nga portali i gjykatës.

“Padrejtësia ndaj mjekut, i cili pa e kursyer veten dha maksimumin nga vetja për pandeminë e Covid-19, më në fund u korrigjua. Tani mbetet që Prokuroria të fillojë procedurën kundër fajtorëve të vërtetë për zjarrin, ndërsa cilët janë ata e dimë që të gjithë”, tha avokati Koteski.

Në shqiptimin e aktgjykimit në Gjykatën e Tetovës qershorin e kaluar, gjykatësi tha se ky nuk ishte një gjykim për shkaqet e zjarrit.

Drejtorët u dënuan në shkallën e parë sepse në spitalin modular nuk ka pasur aparate për fikjen e zjarrit, ndërsa mjeku u lirua nga përgjegjësia sepse në spitalin për Covid-19 kishte futur njerëz nga jashtë.

Dokumentari “Vrasje në Tetovë”, të cilin IRL e publikoi vitin e kaluar, tregon për një sërë lëshimesh gjatë ndëtimit të spitalit modular që sollën deri tek shpërthimi i zjarrit, edhe pse autoritetet u përpoqën ta përshkruajnë atë si një aksident të shkaktuar nga një lidhje e shkurtër e kabllos vazhduese.

Lëshime u konstatuan edhe në specifikimin teknik, në ndërtim, por edhe më pas në hetim. Në vend se si ndërtim, spitali është evidentuar si pajisje urbane, për të cilën nuk ka nevojë të respektohet ligji për ndërtim.

Prokuroria ngriti aktakuzë për shkak se nuk ka pasur aparate për shuarjen e zjarrit, por jo edhe për shkaqet e zjarrit.

Rasti i zjarrit në spitalin modular në Tetovë është përfshirë në raportin e Freedom House për Maqedoninë. Në pjesën për problemet me lirinë e medias përmendet edhe Laboratori i Gazetarisë Hulumtuese (IRL) dhe padia për shpifje nga ish-zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Koço Angjushev, i cili është një nga pronarët e BRAKO-s, e cila ndërtoi spitalin. Zjarri në spitalin modular në Tetovë cilësohet si një nga skandalet më të mëdha korruptive që ka ndikuar në rënien e rejtingut të vendit.

Me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës dhe ish drejtori ekonomik, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh.

Për mos thirrjen në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht.

Gjykatat e Apelit RMVMinistria e Shëndetësisë (MSH)Spital(e)ZjarrZjarrfikësZjarri në Spitalin Modular Tetovë